Dy futbollistët kuqezi mund të jenë pjesë e top 11 që do të sfidojë 12 herë fituesit e Champions League, më 2 gusht, në Amerikë. Por, do të vendosin tifozët
Të luash me Real Madridin padiskutim që duhet të jetë një ëndërr e cila kthehet në realitet, për këdo futbollist që të paktën futbollin nuk e sheh si biznes dhe si mjet vetëm për të fituar, bërë pushime luksi, martuar me ceremoni ëndrrash, ndërruar të dashura bukuroshe e kështu me radhë. Duhet edhe të kesh aspirata dhe, veç kombëtares së vendit tënd, të veshësh fanellën blancos duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme. Sigurisht, fakti është që vetëm disa e kanë këtë shans dhe, nëse realizimi i ëndrrës për të luajtur është thjesht në sirtar dhe s’do të hapet kurrë, atëherë ia vlen që të luash përballë.
Kjo është ajo që shpresojnë, të paktën, Jahmir Hyka dhe Shkëlzen Gashi, që aktivizohen me San Hoze Erthkuajk dhe Kolorado Rapids, por që kanë mundësinë, nëse tifozët do të duan, gjithsesi, të bëhen pjesë e formacionit më të mirë, pra të yjeve, që do të përballen ndaj 12 herë fituesve të Champions dhe Zinedin Zidanit, në miqësoren e sfidës 2 gusht, në Amerikë. Në fakt, Reali do të luajë tre ndeshje përtej Oqeanit dhe mes tyre është edhe sfida ndaj top 11 yjeve të MLS-së, ku sigurisht radha për të zbritur në fushë është e madhe, ndërsa këtë shans e pati edhe Hamdi Salihi, përpara disa vitesh, kur vishte fanellën e Uashington DC Junajtid.
Ishin të tjera kohë, sigurisht, nisur edhe nga fakti se Amerika ishte vetëm një varrezë balenash dhe asgjë më shumë. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe MLS-ja është pasuruar edhe më shumë me yje.
Por, a do të zgjidhen Hyka dhe Gashi në këtë formacion ëndrrash, kundër Real Madridit, qoftë duke zbritur në fushë edhe vetëm disa minuta? Në sondazhin që po bëhet, deri tani, shihen jashtë, por gjërat mund të ndryshojnë dhe, të paktën, një gjysmë ëndrre, mund të plotësohet.