Garë e egër për Koliçin, oferta e radhës nga Qipro

Enea Koliçi spikati me performancën e tij këtë sezon, duke qenë një nga lojtarët më vendimtar në fatin e titullit kampion. Karriera e një portieri është më e gjatë se një lojtari tjetër dhe tashmë pogradecari duket sikur po kalon një rini të dytë. Pak ditë më parë “Sport Ekspres” zbuloi se kambana franceze dhe turke po binin për “gardianin” e Kukësit. Kontrata me Kukësin i përfundon pas kupave të Europës dhe më pas do të marrë në shqyrtim të gjitha ofertat e mundshme. Natyrshëm që do të ulet të bisedojë fillimisht me presidentin Gjici, por duket tepër e vështirë që karrierën ta vijojë në Shqipëri.

Pas dy klubeve franceze, Okseri e Shatoru, dhe asaj turke të Alaniasporit, që kanë shfaqur interes, oferta e radhës vjen nga Qiproja. Aris Limasol ka ardhur me një ofertë zyrtare në drejtim të “gjigantit” të portës së kampionëve. Nuk bëhet e ditur shifra që është ofruar, por e sigurt është që qipriotit e kanë në listën e dëshirave dhe nuk po ngurojnë që të joshin 31-vjeçarin. Burime pranë lojtarit dhe menaxherit të Koliçit bëjnë me dije se ka qenë vetë presidenti i Arisit ai që ka kontaktuar lojtarin. Përveç Kukësit që nuk do të dorëzohet për të humbur shërbimet e një prej lojtarëve më të rëndësishëm në mes qëndron dhe klubi i Okserit, i cili është futur në bisedime të avancuara me menaxherin e portierit kuksiane. Gjithçka mbetet për t’u parë pas kupave të Europës, kur edhe lojtarit i përfundon kontrata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *