Arijanet Muriçi është një emër që gjatë kohëve të fundit, ka fituar zemrat e shumë sportdashësve shqiptarë, por dhe besimin e trajnerit të mirënjohur, Pep Guardiola.
Gardiani zgjodhi të përfaqësojë Kosovën dhe ishte titullar në takimin më të rëndësishëm të “Dardanëve” në Ligën e Kombeve, ai përballë Azerbajxhanit, ku arriti të mbajë dhe rrjetën e paprekur.
Muriç shihet si e ardhmja e futbollit kosovar, por dhe si e ardhmja e portës së Mançester Sitit, një nga skuadrat më të mëdha në Evropë. Në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë përballë Bërton, Muriç ishte spektator, por pasimet e tij të sakta me këmbë mjaftuan që mediat britanike ta vlerësonin me notën 7.
Po ashtu, tifozët e “Qytetarëve” besojnë shumë të aftësitë e Muriç dhe në rrjetet sociale, kanë shprehur shpeshherë simpatinë që kanë ndaj portierit kosovar, duke e konsideruar dhe si pasuesin e denjë të brazilianit Ederson.
Kur mori drejtimin e Sitit, Guardiola vuajti shumë që të gjejë portierin e duhur. Pasi largoi anglezin Xho Hart, spanjolli shpenzoi 35 milionë euro për Klaudio Bravon, por “ish”-i i Barcelonës e zhgënjeu.
Pep shpenzoi sërish shifra të frikshme për t’i marrë Benfikës portierin Ederson, që deri më tani ka qenë një sukses. Gjithsesi, duke marrë parasysh që Muriç nuk i ka kushtuar asnjë qindarkë Mançester Sitit, promovimi i tij në ekipin e parë, padiskutim që mund të quhet “blerja më e goditur”.