Një emër i rëndësishëm i futbollit italian ka dalë në skenë për garën e kreut të FIGC (Federata Italiane e Futbollit). Bëhet fjalë për Masimo Moratin, ish-presidentin e famshëm të Interit.
73-vjeçari plotëson kritiret e nevojshme për kreun e futbollit italian: kurrikulum, eksperiencë dhe autoritet. Mbi të gjitha, Morati është një person tepër pozitiv, i cili gëzon një respekt të madh. Kandidatura e tij mbështetet nga Andrea Anjeli, presidenti i Juventus dhe Gaetano Miçike, kreu i Ligës Italiane.
Përballë Moratit do të jetë Gabriele Gravina, kreu i Ligës Pro, i cili bëri publike kandidaturën e tij përpara dy ditësh. Morati akoma nuk e ka dhënë përgjigjen përfundimtare, sepse kërkon të ketë një konsensus të gjerë për kandidaturën e tij, ndërkohë që të premten mund të vijë përgjigja përfundimtare.
Gravina ka mbështetjen e katër organeve zyrtare si: LND (Liga amatore kombëtare), Lega Pro (Gravina është aktualisht presidenti), AIA (Shoqata e arbitrave italianë) dhe shoqata e trajnerëve. Morati mund të marrë mbështetjen e shoqatës së futbollistëve dhe mund të bindë ndonjë delegat nga ana e trajnerëve. Megjithatë, Gravina është favorit për momentin për t’u ulur në postin e presidentit të FIGC.