Xhixho Donaruma feston sot 20-vjetorin e lindjes dhe nuk kanë munguar urimet e shumta për talentin e Milanit. Pavarësisht moshës së re, ai ka zhvilluar 170 ndeshje zyrtare me kuqezinjtë. Adriano Galiani, ish-administratori i deleguar i Milanit, ka folur për “Milannews.it”, duke zbuluar momentin kur firmosi me portierin dhe fitoi konkurrencën me Interin.
Ishte viti 2013 dhe Milani pagoi 250 mijë euro për kartonin e tij. Për herë të parë me skuadrën e madhe u grumbullua nga Filipo Inzagi në shkurt të vitit 2015, ndërsa debutimi i tij si titullar erdhi nga Sinisha Mihajloviç. Ishte 25 tetori i vitit 2015, luhej Milan-Sasuolo dhe trajneri serb la në stol Diego Lopezin për t’i besuar portën 16-vjeçarit Donaruma.
Galiani ndihet krenar për të dhe uron që ai të mbyllë karrierën me ekipin e “Djallit”. Guximi i Mihajloviçit për t’i besuar një vend në formacion në moshë aq të re nuk e befasoi drejtuesin, i cili kujton dhe momentin më të bukur të kohëve të fundit.
“Nuk u befasova nga fakti që Mihajloviç e bëri të debutojë në moshën 16-vjeçare, sepse ka qenë gjithmonë talent i madh dhe ka luajtur shpeshherë me lojtarë më të mëdhenj se vetja. I dërgoj gjithmonë mesazhe dashurie kur bën pritje dhe ndeshje të mëdha. Ai e di që i dua të mirën dhe po bën paraqitje shumë të mira me Milanin. Ndjej një krenari të madhe kur mendoj zgjedhjen e bërë atë verë, duke ia rrëmbyer Interit. Ishte Mauro Biankezi, ai i cili insistoi se Xhixho është portieri i së ardhmes. Biankezi është një skaut i talentuar dhe menaxher i jashtëzakonshëm i ekipit të rinjve. Ai kishte nuhatur talentin e Donarumës dhe më shtynte që të nënshkruanim me të. Unë i dhashë dritën jeshile që të vepronte dhe firmosëm me lojtarin, duke fituar garën me Interin. Jam shumë i lumtur që e solla portierin te Milani dhe uroj që ta mbyllë karrierën me kuqezinjtë. Donaruma është sot ndër portierët më të mirë në botë. Momenti më i bukur? Fitimi i finales së Superkupës së Italisë në vitin 2016. Xhixho priti penalltinë e Dibalasë dhe më pas Pashaliç shënoi golin e fitores. Ishte një moment i paharrueshëm”, përfundon Adriano Galiani.