Igli Tare ka folur ditën e sotme përpara duelit kundër Napolit për mikrofonin e “Sky Sport“. Drejtori sportiv shqiptar ka komentuar ecurinë e skuadrës së tij këtë sezon në Ligën e Kampionëve, kompeticion ky që është edhe objektivi i Lacios për këtë sezon. Ndërkohë nga vëmendja nuk mund të shpëtonte as tema e javës, Superliga Europiane. Sa i përket këtij projekti, Tare shprehet se futbolli është emocion dhe pasion dhe për hir të këtij sporti nevojitet më shumë qartësi.
Në sezonin midis kampionatit dhe Ligës së Kampionëve
“Ne bëmë një Ligë të Kampionëve të shkëlqyeshme, përveç minutave të fundit me Bryzh dhe ndeshjen e parë me Bajern Mynih në raundin e 1/16-ve. Ishte rezultat i shumë viteve të punës, i kurorëzuar me kualifikim për në raundin e 1/16-ve pas njëzet vjetësh. Është një udhëtim i gjatë. Duhet kohë dhe bëhen gabime. Kjo është arsyeja pse thashë që është thelbësore që ne të arrijmë këtë qëllim edhe për rritjen e ardhshme”.
Superliga Europiane
“Ishte një javë e madhe, tronditëse për të gjithë ne. Unë mendoj se futbolli është për njerëzit, futbolli është emocion, pasion. Kjo nuk humbet kurrë. Gjërat u rregulluan shumë shpejt. Në të njëjtën kohë, megjithatë, kjo bën të mendosh se një reflektim i madh është i nevojshëm për të ardhmen e futbollit europian dhe botëror. Për hir të futbollit, duhet të bëhet shumë qartësi. Duke parë këtë javë, e humbëm atë”, ka deklaruar Igli Tare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/