Unai Emeri u ul në stolin e Arsenalit në verë, duke zëvendësuar një trajneri si Arsen Venger. Francezi drejtoi “topçinjtë” për 22 sezone rresht, ndërsa spanjolli sapo e ka nisur ciklin e tij. Fillimi ishte i vështirë, por Arsenali është rikthyer te rezultatet pozitive.
Për një trajner si Emeri komunikimi është i rëndësishëm dhe ai po bën maksimumin për të mësuar sa më shpejt gjuhën angleze. Shpejt, pastër dhe në mënyrë perfekte. Për të biseduar sa më lirshëm me ekipin dhe shtypin. Zgjidhja? Filmat televizivë.
“Shikoj ‘Peaky Blinders’ bashkë me familjen dhe miqtë e mi. Një gjë e tillë më bën të relaksohen dhe përmirësoj anglishten time. Nuk është aspak e thjeshtë për t’i kuptuar, madje ka dhe skena shumë agresive, por më mirë kështu…”, zbulon trajneri bask në një prononcim për “BBC”.
Emeri rikthehet të flasë për futbollin dhe tregon fillimet e tij në rolin e trajnerit. Të gjithë janë marrë me futboll në familjen tij dhe ai nuk mund të bënte ndryshe.
“Futbolli ka qenë gjithmonë pjesë e jetës time, gjyshi dhe babai im kanë qenë futbollistë profesionistë. Kur e kuptova që nuk mund të luaja më, u binda se doja të vazhdoja të isha pjesë e kësaj bote. Nuk është e thjeshtë të jesh një trajner i ri, sepse të duhet eksperiencë. Çdo ndeshje është një burim mësimi”, përfundon Unai Emeri.