Klubet shqiptare vuajnë shumë për të gjetur një organizator, por trendi duket tjetër. Mos ndoshta kanë dalë jashtë mode?! Më shumë është frikë
U luajt edhe java e katërt e Kategorisë Superiore, që prodhoi vetëm shtatë gola, tre prej tyre nga pika e bardhë e penalltisë, një në Kamzë e dy në Kukës në sfidën mes vendasve dhe Skënderbeut. Po shihet qartë se nga javë në javë zgjidhja po vjen nga 11-metërshat, ose nga goditjet standarde e krosimet. Kështu u shënua edhe këtë javë. Të qëndrojmë në Kukës, aty ku goli i parë u realizua pas një krosimi, që u shoqërua me uljen e topin nga Soue (pa dashje) për Takun, i cili e dërgoi në zonë te Dita dhe ky i fundit pas një marrje të mirë realizoi. Në Kamza-Teuta miqtë iu gëzuan një autogoli. U bënë disa gabime, me Arrabal që nuk kontrolli topin që i iku nga kontrolli Latif, ndërsa më pas Lena vertikalizoi për sulmuesin ganez dhe gjuajtja e tij shkoi në rrjetë pas devijimit të korçarit Frashëri. Rastet në këtë ndeshje ishin me “pikatore”. Në Laç u shënuan dy golat e tjerë. I pari erdhi pas një topi të gjatë të Bardhit për Uzunin, me beratasin që gjuajti dhe topi pas një devijimi shkoi në këmbët e Xhixhës. I riu, që ka spikatur për shënimin e golave me moshat, nuk fali. Për golin e dytë nuk ke çfarë flet, pasi krosimin e Nikës portieri Selimaj e përplasi në kurrizin e Pjeshkës dhe e ktheu në asist për Xhixhën. Po të shikosh në video mënyrën se si janë shënuar të gjithë këto gola, kupton që ka një mungesë të theksuar të ndërtimit të manovrës sulmues në mënyrë të organizuar, duke u fokusuar kryesisht te ndonjë krosim, apo te shfrytëzimi i gabimeve të kundërshtarit.
TRENDI – Të mos humbësh është bërë parësore dhe duket se të gjithë trajnerët e kanë një presion të tillë. Shumica e ekipeve luajnë me mesfushorë qendrorë me tipare mbrojtëse, madje edhe Skënderbeu që shkëlqeu këtë javë në Kukës luante pa një “10”-ësh. Lilaj, Dita dhe Muzaka garantojnë kilometra të tëra vrapim dhe shumë ndërprerje aksionesh, por fantazia u mungon. Në fakt edhe lojtarët e tjerë të Skënderbeut nuk është se do bënin më shumë në këtë aspekt. Trajneri Daja kërkon të shfrytëzojë zënien keq të kundërshtarëve dhe shfrytëzimin e hapësirave dhe aftësinë goditëse të këtyre lojtarëve. Shpesh organizatorin e ka bërë Xhejms. Kukësi ka Zeqirin, por vetëm në pjesën e dytë u fut, duke mos bërë gjë. Nuk është më ai përparmi, ndërkohë edhe Bakaj është kthyer në një sulmues. Në Vlorë është fiksuar treshja Useini-Sidibe-Pollozhani, ndërsa te Partizani edhe Bardhi që mund të bëjë diçka në këtë aspekt, e kanë zhvendosur në sulm. Lushnja ka një lojtar si Gava, i aftë në hapjen e topave, si dhe me një goditje të mirë. Gjithashtu po ingranohet edhe Papa, lojtar jo me cilësi shumë të mëdha organizative, por me driblimet në vend shpesh krijon hapësira dhe shtyn skuadrën para, por kjo është disi e vështirë, duke ditur se përgjithësisht ky ekip luan i tërhequr dhe kundërsulmi është “shpëtimi”. Kamzës i është dëmtuar Mustafa, që ishte afruar për të organizuar manovrën sulmuese të skuadrës së Ndreut, që i beson edhe Mehmetit e Mumajesit. Vllaznia është ndryshe në këtë aspekt, pasi ka në ekip Vucajn, Hasanin dhe Likën. Në Laç bënë një lojë të mirë dhe disa herë me topat pas shpine organizuan aksione të rrezikshme, por nuk kishte finalizim. Gjithashtu edhe Gilman Lika vertikalizoi bukur në një moment në pjesën e parë, duke u dhënë një mundësi të mirë kuqebluve. Laçi përgjithësisht ka pasur lider në mesfushë, teksa Vucaj për disa vite udhëhiqte në atë repart, ndërsa më pas sollën Cetkoviç. Tanimë në ekip është braziliani Eskerda, lojtar me cilësi, i cili ende nuk është në maksimumin e tij. Gjithashtu janë edhe disa të rinj si Kallaku, Lushkja e Smaçi, ata që tentojnë të bëhen “motori” organizues i Laçit në momentin që futen në fushën e blertë. Në Durrës fantazinë ia kanë besuar Lenës dhe Dostit, por deri më tani nuk është se kemi parë ndonjë mrekulli, ndërsa në Gjirokastër treshja e qendrës së mesfushës ka misionin e qartë për të ndaluar kundërshtarët. Brahimaj-Ramadani-Aleksi është treshja e “fiksuar” për momentin, me Rrocën që ndryshon pak nga shokët e skuadrës së tij, por që një dëmtim e ka privuar atë në pjesën më të madhe të ndeshjeve të deritanishme.
TIFOZËT – Nuk është vetëm një problem i futbollit tonë, është i përgjithshëm në rajon, ku vihet re një numër i vogël njerëzish që frekuentojnë stadiumet. Arsyet janë të ndryshme, duke nisur nga lëvizjet e ndryshme të popullsisë, nga rrethet drejt kryeqytetit, apo edhe jashtë vendit. Ana financiare ndikon gjithashtu, por edhe besimi që njerëzit kanë te kampionati. Shpesh ka fjalë shumë, por në një shoqëri ku është shumë e lehtë të ngresh dyshime dhe t’i besosh ato, atëherë kjo krijon shumë probleme. Në Kukës shumëpak e ka menduar që do vinte dita të luftohej për titullin, ndërkohë që ndaj Skënderbeut mund të ishin në stadium rreth 2 mijë tifozë. Në Laç ishin sa çereku, në Vlorë gjithashtu interesi është i ulët dhe vetëm në ndonjë ndeshje me Skënderbeun interesi rritet për shkak të rivalitetit të viteve të fundit. Edhe Partizani tashmë nuk e ka mbështetjen e mëparshme, ndërkohë që në këto javë është hasur një interesim i ulët edhe në Kamzë. Me pak fjalë, numri i tifozëve në stadiume sa vjen e ulet…