Kamza do ta nisë pjesën e dytë të sezonit me një ndeshje mjaft të rëndësishme në fushën e vet të premten, kundër Laçit.
Është një mundësi e mirë për t’u kthyer te fitorja, pas mbylljes zhgënjyese të vitit, që zbehu disi ecurinë perfekte të muajve të parë të sezonit.
Në stërvitjen e sotme Kamza ka qenë e plotë, sepse tashmë është bashkuar me ekipin edhe Masato Fukui. Japonezi nuk mundi të shkonte në Turqi dhe minifazën e janarit praktikisht e bëri te Kastrioti, për të mos mbetur pas në aspektin fizik.
Ndërkaq, trajneri Ramazan Ndreu deklaron se merkatoja e janarit e ka kompletuar Kamzën, por pritet edhe një qendërmbrojtës: “Për sa i përket fazës në Antalia, ishte pak e ngjeshur, sepse luajtëm shumë ndeshje, por na shërbyen, sepse dihet që kur ka shumë ndeshje, skuadra është në ritmin e vet. Mendoj se merkatoja ka qenë e mirë, kemi afruar Zguron në mbrojtje dhe Zeqirin në mesfushë. Pretendojmë që të afrojmë edhe një qendërmbrojtës, që na duhet patjetër për të kompletuar ekipin. Nëse arrijmë të gjejmë një qendërmbrojtës cilësor, të aftë të zëvendësojë pak a shumë Fushtarin, mendoj se do jemi në rregull.
“Për sa i përket ndeshjes me Laçin, do të jetë shumë e vështirë, sepse Laçi ka treguar vlera deri tani dhe është një skuadër agresive dhe në momente të bveçanta të hap probleme,. Megjithatë, jemi përgatitur që në ndeshjen me Laçin të kthehemi te fitorja, sepse në përfundim të dy fazave kemi lëshuar pak, ndaj na duhet patjetër një fitore që do të na jepte siguri e garanci për renditjen”.