Ftesa e kushëririt e dërgoi te Laçi, flet afrimi i mbërritur nga Gjermania: U trondita kur erdha në Tiranë

Steven Kodra ishte afrimi i fundit që Laçi bëri në merkaton e dimrit. Mesfushori 23-vjeçar erdhi nga ligat e ulëta në Gjermani teksa së fundmi ishte pjesë e skuadrës “Hammer Spvg”. Por ky futbollist nuk është parë ende me ekipin e parë dhe kjo nuk ka ardhur për shkakun e vendimeve të trajnerit Duro apo mungesës së aftësisë së futbollistit.

Dëmtimi i gjatë e ka mbajtur Kodrën jashtë fushës së blertë. Tashmë është duke u rikuperuar me ritme të shpejta dhe pritet që të kthehet për të treguar vlerat e tij me fanellën e kurbinasve. Fillimisht është përdorur me ekipin e U-21 vjeçarëve dhe në ndeshjen e fundit arriti që të shënonte 1 gol dhe të jepte 3 asist në vetëm 40 minuta loje pas aktivizimit.

Në një intervistë të dhënë për median gjermane “Ëa.de”, Kodra tregon historinë interesante sesi iu bashkua Laçit pas bisedës me kushëririn e tij. Ky i fundit i kishte hedhur idenë e vazhdimit të karrierës në Shqipëri dhe mesfushori nuk e mendoi dy herë që të priste biletën për Tiranë.

“Pasi erdhi në Gjermani, kushëriri më ftoi në Shqipëri që të vazhdoja karrierën. Dhe unë që ia ktheva me shaka: “Po do vij”. Pas disa ditësh e thirra dhe i thashë nëse mund të më siguronte një seancë prove. Ai më pyeti se kur mundesha dhe unë ia ktheva: “Që nesër”.

U nisa menjëherë për Shqipërinë dhe shkova te Laçi për provë. Kam bërë një ose dy stërvitje. Ata shpejt e panë që unë mund të luaja futboll. Nënshkrova një kontratë profesionale. Kam pasur problem me dëmtimet, por tashmë ndihem gati. Mendoj se do të luaj së shpejti. Kontrata ime skadon  në fundin e këtij sezoni, por unë jam optimist se do të mbetem ende këtu”, tha Kodra.

Fillimisht Steven jetoi me kushëririn e tij, por drejtuesi i ekipit të Laçit i ka siguruar mesfushorit një apartament në Tiranë. Vetë lojtari kishte 7 vite pa ardhur në Shqipëri dhe është surprizuar shumë nga ndryshimet: “Jam tronditur kur pashë gjallërinë dhe ndryshimet. Këtu nuk ka orar ndalim. Gjithçka është e hapur përfshirë restorantet dhe palestrat. Kjo është e rëndësishme për mua. Koronavirusin nuk e vë re fare këtu. Gjithashtu edhe për pjesën e futbollit janë të gjitha kushtet për t’u rritur”, mbyll rrëfimin Kodra. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online