Interi u dënua me zhvillimin e dy ndeshjeve të radhës në shtëpi pa tifozë, si pasojë e koreve raciste kundrejt Kalidu Kulibali. Mbrojtësi senegalez i Napolit përfundoi në shënjestrën e tifozëve zikaltër, ndërsa akoma flitet dhe diskutohet për këtë çështje në vendin fqinj.
Të shumtë janë ata që kanë shprehur mendimin e tyre, ndërsa për situatën e krijuar ka folur dhe kryetari i Bashkisë së Beneventos, Klemente Mastela. Zikaltrit do të luajnë pa tifozë ndeshjet kundër Beneventos për Kupën e Italisë (13 janar) dhe Sasuolos në kampionat (19 janar). Mastela ka folur për ndeshjen e ekipit të qytetit të tij kundër Interit, duke hedhur një propozim interesant.
“Siç e dini, ndeshja duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të skualifikimit të fushës së Interit, si pasojë e koreve raciste. Një vendim që, për fat të keq, penalizoi dhe tifozët e Beneventos, të cilët, nuk duhet ta harrojmë, janë vlerësuar nga të gjithë gjatë sezonit të kaluar kur morëm pjesë në Serie A për pasionin dhe sportivitetin e tyre. Për të shmangur përkeqësimin e raporteve midis veriut dhe jugut dhe për të krijuar një vizion më njerëzor të futbollit, kërkoj që ta zhvillojmë atë ndeshje në stadiumin tonë”, përfundon i pari i qytetit të Beneventos.