Shqipëria ka dhënë “OK”-in dhe Fiorin Durmishaj do të mund të luajë me Greqinë, që dje mposhti Lihtenshtejnin me rezultatin e pastër 0-2. Grekët përballen të martën me Bosnje Hercegovinën dhe dëmtimi i Kostas Mitroglu ka bërë që Angelos Anastasiadis të ftojë sulmuesin shqiptar.
Gjithçka është zyrtare, sikurse raportojnë mediat në Greqi, që publikojnë edhe komunikatën e Federatës Greke të Futbollit. Durmishaj është aktivizuar me Shqipërinë U21 dhe nuk mund të pengohej nga FSHF që të luante për Greqinë.
Nëse sulmuesi do të luajë qoftë edhe një minutë ndaj Bosnjes, atëherë automatikisht me rregullat aktuale të FIFA-s nuk mund të luajë me kombëtare tjetër. E gjithë kjo situatë ishte e pritshme, duke qenë se Durmishaj refuzoi ftesën e Shqipërisë. Gjithashtu ai edhe e ka komentuar ftesën e Greqisë.
“Nuk mund të mos e dua këtë vend. Miqtë e mi janë grekë, ata më kanë ndihmuar shumë dhe nuk më shohin më si të huaj, siç ndodhte në fillim. Dora që të ushqen nuk kafshohet. E respektoj këtë vend në maksimum. Kam ardhur në Greqi me familjen në një moment të vështirë dhe na kanë ndihmuar shumë. Kjo është edhe arsyeja pse dua ta nderoj këtë vend sa më shumë që të mundem. Është një nder i madh për mua që trajneri i Greqisë, Angelos Anastasiadis, si dhe Angelos Basinas, kanë folur aq mirë për mua. Dua të tregoj më të mirën time dhe të justifikoj ato që ata kanë thënë për mua”, deklaronte Durmishaj për “Total Fooball” para pak kohësh.