Franca në çatinë e Botës, bravo edhe Kroacisë!

0

Franca rikthehet në majën e Botës, 20 vjet pas triumfit të parë.

“Gjelat” mundën sot Kroacinë 4-2, në një finale fantastike, me lojë, gola e emocione, por në fund kroatët dolën zemër thyer.

Një ndeshje e shkëlqyer nga Kroacia, që të paktën në aspektin e lojës nuk ishte inferiore ndaj Francës.

Megjithatë, fati i bë vendimtar në pjesën e parë, me autogolin e Manxhukiç, ndërsa Kroacia gjeti barazimin e merituar me Perishiç, por ky i fundit gaboi, kur preku me dorë një kros, që me VAR u vendos që ishte faull dhe për pasojë penallti.

Grizman ishte i akullt nga pika e bardhë, nuk pati asnjë frikë para Subashiç, ndërsa Kroacia shkoi në pushim e tronditur.

Në startin e pjesës së dytë sërish Kroacia e nisi fuqishëm, por sapo Pogba gjeti golin e tretë, mori fund. Francezët shënuan sërish me Mbape, i cili imiton Pelen, duke shënuar në një finale pa mbushur 20 vjeç, ndërsa Manxhukiç shënoi pas një gafe të portierit Loris.

Përfundimisht, Franca kampione, me meritë, ndërsa Kroacia largohet e mundur, por me kokën lart, sepse bëri histori dhe shkëlqeu edhe në finale.

FRANCË – KROACI 4-2

Shënues: Manxhukiç 19′ aut., Grizman 38′ pen., Pogba 59′, Mbape 66/ Perishiç 29′, Manxhukiç 69′

69′ GOL KROACIA. Manxhukiç e shkurton, pasi Loris bëri një gafë duke tentuar ta shmangte afër vijës fatale.

66′ GOL FRANCA. Tani merr fund, Mbape shënon një supergol dhe Franca është kampione bote.

59′ GOL FRANCA. Kundërsulm i shpejtë, Grizman merr top në zonë dhe ul për Pogba, i cili gjuan dy herë dhe me të majtën shënon.

54′ Një kros në zonë fut në siklet Loris, i cili devijon me vështirësi jashtë.

52′ Pogba nis Mbapenë në të djathtë, sprint super, por mbrojtja spastron në zonë.

50′ Ritëm i lartë, sërish Kroacia dominuese, por golin vuan shumë për ta gjetur.

48′ Start i shpejtë edhe në pjesën e dytë. Rebiç tenton me një gjuajtje të fortë, Loris devijon mbi traversë.

PJESA E PARË – Kroacia lojën, Franca avantazhin. Pjesa e parë në finalen e Kupës së Botës mbyllet me Gjelat në avantazh, edhe pse ndoshta jo me meritë. Kroacia ka qenë superiore në çdo drejtim, por Manxhukiç shënoi një gol të pafat dhe Perishiç dhuroi një penallti që u akordua me teknologjinë VAR dhe do të ngjallë shumë debate.

Megjithatë, ka edhe 45 minuta dhe Kroacia ka treguar se di të reagojë fuqishëm.

43′ Sërish Kroacia në sulm, Lovren brenda zone godet fort, por një mbrojtës devijon në këndore.

39′ Rebiç, në qendër të zonës, godet keq dhe topi shkon lehtësisht te Loris. Me fat Franca, që këtë pasdite ka pasur gjithçka në favor në këtë drejtim, edhe pse Kroacia ka luajtur më mirë.

38′ GOL FRANCA! I akullt, Grizman nga pika e bardhë nuk fal! Franca në avantazh!

35′ PENALLTI PËR FRANCËN, ME VAR! Arbitri u ndal gjatë duke parë në ekran aksionin, Perishiç devijoi me dorë një goditje nga këndi dhe 11-metërsh!

29′ GOL KROACIA! Supergol i Perishiç! Brenda zone, mori një top që po endej në ajër, finte e bukur dhe gjuajtje perfekte me të majtën, gol! I MERITUAR!

24′ Ndeshja ndizet dhe hapësirat në kundërsulm për Francën janë të mëdha. Mbape për pak sa nuk doli i vetëm me portierin Subashiç, ndërsa në krahun tjetër Vida e Rakitiç tentuan dy herë, por jashtë. Kroacisë i mungon hapësira brenda zonës franceze.

19′ FRANCA GOL! Krosi i Grizman nga goditja e dënimit preket lehtë nga Mario Manxhukiç, i cili mposht portierin Subashiç. Pa goditur portën, Franca në avantazh! Autogoli i parë në një finale të Kupës së Botës!

17′ Zgjohet edhe Franca. Mbape depërton djathtas dhe mbrojtja kroate largon në panik krosin e tij, ndërsa më pas Grizman fiton një faull në pozicion të mirë, pas ndërhyrjes nga Brozoviç.

15′ Kundërsulm kroat, Perishiç fluturon nga e majta e sulmit, por nxitohet dhe hedh një kros të gabuar, që largohet nga Umtiti.

11′ Rakitiç pason bukur për Perishiç në zonë, por topi është pak më i fortë nga sa duhet dhe del jashtë. Kroaci e bukur, edhe pse asnjë rast deri tani!

10′ Vetëm Kroacia po luan futboll për momentin. Ballkanasit po kontrollojnë çdo metër të fushës, Franca e mbledhur pas, pret me qetësi, por duket taktika e gabuar nga Deshamp.

8′ Striniç nga e majta e sulmit futet bukur në zonë, duke kaluar Pavarrd, por në momentin e fundit Mbape ia largon topin. Kroacia gjithnjë e rrezikshme.

3′ E nis me presing Kroacia dhe mbyll Francën pas. Ritëm i lartë që në start, Kroacia po luan pa frikë!

1′ NIS NDESHJA

Erdhi momenti kulmor i Kupës së Botës 2018, me finalen e papritur Francë-Kroaci. Në një Botëror plot surpriza, këto dy kombëtare kanë arritur të shfrytëzojnë në maksimum potencialin e madh që kanë, edhe pse në mënyra të ndryshme.

Franca ka bërë gjithçka si duhet, duke mos njohur humbje deri tani e duke fituar çdo ndeshje brenda 90 minutave pas grupeve, pa u lënë asgjë kundërshtarëve dhe pa pësuar gol në dy ndeshjet e fundit.

Në të kundërt, Kroacia pëson gol me lehtësi dhe pas grupeve ka pësuar gjithnjë gol e para, por forca dhe karakteri i kësaj skuadre ka dalë në pah në çdo takim, me reagim perfekt dhe triumf në shtesa apo penallti.

Në histori Kroacia nuk e ka mundur asnjëherë Francën, në 5 përballje, ndërsa në Botërorin ’98 Franca fitonte në gjysmëfinale ndaj Shuker me shokë dhe më pas fitonte trofeun.

Tani duket si një duel i dyfishtë, për Kupën e Botës dhe Topin e Artë, sepse Luka Modriç, Mbape e Grizman vijnë nga një Botëror spektakolar. Modriç është maratonomaku i Kupës së Botës, me 643 minuta futboll dhe 63 kilometra të përshkuar. Mbape një vit më parë transferohej te PSG për një shifër të pabesueshme, 180 milionë euro, por po tregon se vlen edhe më shumë se aq. Grizman ka shansin e jetës për të rregulluar vitin 2016: atë vit humbi finalen e Champions League me Atletikon dhe finalen e Euro 2016 kundër Portugalisë.

Lodhja mund të ndikojë shumë te Kroacia, që ka luajtur 100 minuta dhe ka vrapuar 117 kilometra më shumë se Franca.

Për sa u përket formacioneve të sotme, të dyja palët janë me ekipe të plota dhe konfirmohen titullarët e ndeshjeve të fundit.

Do të luhet në Moskë, në Luzhniki Stadium, me kapacitet 78 mijë vende.

Rivaldo, braziliani legjendar kampion bote në vitin 2002, shkruan në Twitter: “Finalja e Botërorit, që ofron ndjesi që i njoh mirë, në të dy krahët. Kam provuar trishtimin e humbjes në finale, por edhe gëzimin e pamasë të triumfit”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.