Kampionët në fuqi të Shqipërisë, Skënderbeu vendosi të huazojë sulmuesin nigerian, Gofri Çinedu Carls te skuadra e Rabotniçkit në Maqedoni për dy vite.
Marrëveshja mes dy klubeve u arrit në qershor të 2017-ës dhe Çinedu mendohej se do të rikthehej te “Ujqërit e Dëborës” në qershor të këtij viti, por është kthyer para kohe.
Sipas “infosport.mk”, drejtuesit e Rabotniçkit nuk kanë menduar ta mbajnë në skuadër sulmuesin 21-vjeçar dhe gjysmën e dytë të sezonit, do e kalojë te skuadra e Skënderbeut.
Nuk dihet nëse Çinedu bën pjesë në planet e trajneri Orges Shehi, por me Dejvi Bregun të dëmtuar, ndoshta do të ketë minuta për sulmuesin afrikan.
Përveç këtij rikthimi, te Skënderbeu është afruar dhe një futbollist. Bëhet fjalë për Elmir Asanin, mesfushorin e krahut që ka lindur në Novi Sad. 23-vjeçari luajti titullar në miqësoren e sotme përballë Bylisit dhe iu deshën vetëm 5 minuta lojë për të impresionuar.
Mesfushori anësor shënoi golin e parë për “Ujqërit e Dëborës” dhe duket se e ardhmja e tij do të jetë te kampionët në fuqi të Shqipërisë.