Gjesti i portierit Kepa Arrizabalaga në finalen e djeshme mes Çelsit dhe Mançester Sitit, ku refuzoi të zëvendësohej në fundin e kohës shtesë, padyshim bëri bujë. Mauricio Sarri u tërbua me veprimin e lojtarit të tij, por në fundin e ndeshjes, italiani tha se ishte thjesht një keqkuptim i tij.
Gjithsesi, në rast se zëvendësimi do të kryhej dhe në ruletën ruse të 11-metërshave, Çelsi të kishte në portë Kabajeron, mund të kishte më shumë mundësi për të fituar trofeun… të paktën sipas statistikave. Sipas numrave, portieri argjentinas është më i aftë se Kepa në rast se i referohemi pritjeve të 11-metërshave.
Nga 36 penallti, Kabajero ka mbajtur portën të paprekur në plot 15 raste, thënë ndryshe 42% të 11-metërshave nuk kanë përfunduar në rrjetë. Ndërkohë, nga ana tjetër Kepa ka arritur të jetë i suksesshëm në vetëm 32% të rasteve, ku nga 25 penallti vetëm në 8 raste nuk ka pësuar.