Albi Alla ka nënshkruar në Kinë, ku do të jetë pjesë e Janbian. Klubi kinez kërkon të kthehet në elitë dhe ka kërkuar përforcime, madje trajneri i tyre ka ardhur edhe në Shqipëri për ta parë nga afër mbrojtësin në takimin Teuta-Flamurtari.
Alla u la i lirë me marrëveshje nga vlonjatët, ndërkohë që Janbian pret lejekalimin edhe për Agustin Torasën, i cili gjithashtu është përshëndetur me Flamurtarin. Argjentinasi ende nuk ka nënshkruar me klubin kinez.
Sa i takon kontratës së Allës, SportEkspres.com mëson se mbrojtësi ka firmosur vetëm për 10 muaj dhe paga e tij do të jetë e konsiderueshme. Ai do të përfitojë shumën e 150 mijë dollarëve dhe nëse paraqitet mirë do të ketë mundësinë të kapë një tjetër kontratë me Janbian, ose në ndonjë ekip tjetër në Kinë.
Kalimi i Allës në Kinë u bë i mundur nga menaxheri Franci Bode dhe është një mundësi për të hapur një dritare të re për futbollistët e Kategorisë Superiore. Përfitimet në futbollin kinez janë të mëdha dhe futbollistë të shumtë të kalibrit botëror janë “joshur” për ta vijuar karrierën atje.
Pas Nevil Dedes, i cili kaloi nga Tirana te Çangsha (tani quhet Guangzhou R&F FC) para 12 vitesh, është Alla ai që transferohet direkt nga Shqipëria në Kinë, ku më parë janë aktivizuar Hamdi Salihi dhe Valdet Rama. Ky i fundit madje ka qenë pjesë e Janbian në Superligën kineze.
FALENDERIMET PËR FLAMURTARIN – Mbrojtësi qendror, i cili këtë verë iu bashkua Flamurtarit, largohet vetëm pas pak muajsh. Pavarësisht problematikave në klubin vlonjat, që ishin të karakterit financiar, Alla ka vetëm fjalë të mirë dhe falënderime.
“Që sot nuk do jem më pjesë e Flamurtarit. Falënderoj çunat e ekipit për këto 6 muaj te kaluara në mënyrë të shkëlqyeshme së bashku, një grup shumë i fortë që do e mbaj mend gjatë. Falënderoj drejtuesit e klubit për mirëkuptimin dhe presidentin Sinan Idrizi për mbështetjen e tij në lidhje që karriera ime futbollistike të ecë sa më përpara dhe duke mos më krijuar asnjë lloj pengese. Do ju jem gjithmonë mirënjohës qytetit të Vlores dhe Flotës”, shkruan Alla në rrjetet sociale.