Atletiko e Madridit fitoi përballë Monakos 2-0 dhe përfitoi nga ndalesa e Dortmundit për të dalë në krye të grupit A. Koke dhe Antuan Grizman ishin autorët e golave të fitores, ndërsa ekipi i Simeones është kualifikuar më tej në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.
Përpara ndeshjeve të Champions-it jemi mësuar të shohim lojtarët e ekipeve të rreshtuar me fëmijë të vegjël përpara tyre. Të gjithë duke dëgjuar himnin, dikush duke buzëqeshur, ndonjë serioz e i përqendruar, e një tjetër i karikuar në maksimum dhe që tenton t’ua transmetojë dhe shokëve të tij adrenalinën.
Gjatë ndeshjes së djeshme të zhvilluar në stadiumin “Wanda Metropolitano”, kamerat nuk po arrinin të gjenin një nga titullarët e Atletikos. Mungonte Antuan Grizman, ylli i “colchoneros”.
Kur kamerave u është dashur të ulin pak rrezen e tyre francezi është parë duke bërë një veprim të veçantë. Sulmuesi nuk ka përtuar dhe është ulur t’i lidhë këpucët djaloshit shoqërues. Një gjest i bukur dhe i mrekullueshëm. Thjeshtësi, mirësi, xhentilesë dhe edukatë.
Për më shumë gjithçka përmblidhet në buzëqeshjen dhe lumturinë e djaloshit të vogël. Sa pak mjafton ndonjëherë për t’i emocionuar të tjerët. Një veprim fantastik, ose quajeni si të doni! I vogli nuk do ta harrojë kurrë, pasi rrallë të ndodh që një Kampion Bote të ulet në gjunjë për të lidhur këpucët, por mbi të gjitha ia vlen për atë buzëqeshje magjike të djaloshit…