Fluks largimesh te Dinamo, Saliaj dhe Allmuça flasin për situatën aktuale

Në këtë periudhë pushimesh, gjatë muajit qershor dhe në korrik, nga skuadra e Dinamos janë larguar katër futbollistët M. Çema, R. Nuriu, M. Nuriu dhe A. Sheta, si dhe drejtori teknik, Artan Mergjyshi. Por në këtë periudhë, për drejtuesit e klubit më shqetësuese është ana financiare, e cila ka sjellë edhe rrjedhjet e këtyre lojtarëve. Nga data 18 maj që u mbyll sezoni i kaluar dhe deri më sot, Dinamo nuk është bërë e gjallë në fushë.

Në situatë, drejtuesit e klubit kanë vendosur që të nisin përgatitjet, dhe për SportEkspres.com administratori i klubit, Ismet Saliaj deklaron se skuadra do nisë përgatitjet më 25 korrik. “Gjendja kjo është, por ne nuk jemi të dorëzuar. Më 25 korrik do ta mbledhim skuadrën e do të nisim përgatitjet. Gradualisht do të veprojmë edhe për merkato, por edhe për ta fuqizuar financiarisht skuadrën”.

Ndërkohë që edhe trajneri i Dinamos, Igli Allmuça për SportEkspres.com konfirmon se përpos largimeve që kanë ndodhur këto dy muaj të merkatos, stërvitja do të nisë më 25 korrik. “Nuk kemi asnjë lëvizje sa i përket hyrjeve në skuadrën tonë, ndërsa është vendosur që përgatitjet ti nisim më 25 korrik. Për largimet nuk kam çfarë të them, por do tu kërkoja futbollistëve të tjerë të besojnë më shumë te kjo Dinamo”, kështu deklaroi tekniku i bluve.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *