Andrij Shevçenko, një nga legjendat e Milanit, tashmë trajner i Ukrainës, ishte në Itali dje për prezantimin e platformës televizive DAZN dhe dha një intervistë për Gazzetta dello Sport, ku ndër të tjera foli edhe për blerjen e fundit të Milanit, Gonzalo Higuain.
“Blerje e shkëlqyer. E sheh portën si pak të tjerë, e njeh kampionatin italian, ka shënuar shumë gola dhe më duket shumë i motivuar, duke parë si shkoi historia me Juventusin. Do ketë nevojë të ndihet i rëndësishëm, ta duan,por kjo nuk do jetë problem për Milanin. Në vitet e fundit shkoi si shkoi, por me duket se tani e dinë si duhet të sillen.
“Milani ka qenë shtëpia e super lojtarëve për shumë vite, nuk mund ta imagjinoj që të kenë harruar si trajtohen lojtarët e mëdhenj dhe si fitohet. Gonzalo nuk është trashëgimtari i askujt, ka një histori shumë të rëndësishme në Itali dhe duhet pëlqyer ashtu si është. Është lojtar i nivelit shumë të lartë, më duket blerje e shkëlqyer. Nuk është vetëm problem goli, që jam i sigurt se do të jenë të shumtë. Blerja e Higuainit në një merkato kaq të habitshme i kthen krenari gjithë ambientit dhe tifozëve të Milanit”.