Dejvi Bregu është pika kryesore e Teutës që kërkon të fitojë titullin kampion. Durrsakët janë një ndër predentët kryesorë për të fituar Superioren, ndërsa janë “hakmarrë” ndaj Skënderbeut për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Autori i golit ishte Bregu që tundi rrjetën nga 11-metrat dhe nuk festoi për hir të së shkuarës.
Në intervistën e dhënë për “Zona Gol” me gazetarin Glendi Tafaj, Bregu ka folur për të tashmen dhe të ardhmen. Synimi është fitorja e titullit kampion dhe më pas mendohet për largimin në Europë.
“Objektivi ynë kryesor është kampionati, sepse humbëm mundësinë për të kaluar në finalen e Kupës. Forca e grupit te Teuta është ajo që bënë diferencën. Pësimi i golave: “Vuajmë nga nervozizmi kur pësojmë gol, por tani kemi hyrë në një fazë të kampionatit që nuk duhet të gabojmë e të pësojmë gol”.
Krahasimi me Insignen: “Insigne është një nga lojtarët më të mirë në Serie A dhe bën diferencën dhe shpresoj që të bëj diferencën me skuadrën time në këto ndeshje të fundit”. Teuta, lojtarë me mentalitet: “Që në momentin që kemi humbur në Laç nuk e kemi humbur besimin, por kemi luftuar më shumë. Kemi lojtrë me mentalitet kampioni që kanë fituar trofe dhe këta lojtarë e ndihmojnë më shumë skuadrën. Kam përgjegjësi në çdo skuadër ku kam luajtur, por këtu ndryshon pasi luftojmë për kampion. Te Flamurtari ishim një skuadër modeste, ndërsa te Skënderbeu kishim penalizim nga CAS. Te Teuta vlejnë pikët në fund, pasi nuk ka rëndësi kush shënon.
Goli më i bukur, ndaj Laçit: “E kam pritur një gol si ai ndaj Laçit. E mendova se duhej ta bëja atë lëvizje, pasi nëse nuk ndizej një shkëndijë ndeshja mund të mbyllej në barazim. Kampionati shqiptar është i thjeshtë, por hapësirat janë të vogla. Më vjen keq për Krasniqin, që është një lojtar më shumë cilësi të mira dhe grupi ka besim te ai. Shpresoj që të shënoj sa më shpejt dhe të na japë pikë të rëndësishme”.
E ardhmja: “Të them të drejtën, pandemia ka qenë e vështirë për mua. Kisha një ofertë konkrete nga Polonia dhe nuk u realizua. Nuk dua të flas për të ardhmen, pasi sa herë flas nuk bëhet. Shpresoj që të fitojmë titullin dhe besoj se rrugët do të hapen. Tani jam i fokusuar vetëm te Teuta, që të fitojmë titullin kampion”. /Sport Ekspres/