Flamurtari rinis punën, fusha e stadiumit bëhet problem

Tapeti i stadiumit është djegur në disa vende dhe punimet për përmirësimin e tij zgjatin më shumë se dy javë. Në rrezik ndeshja me Lushnjën në javën e dytë

Elton Nika

Flamurtari i është kthyer dje stërvitjes në Vlorë, pas tri ditëve pushim të dhëna nga stafi teknik në momentin e kthimit nga Greqia. Paraditen e djeshme lojtarët kanë punuar në palestër, ku kanë zhvilluar një seancë, që ka zgjatur gati një orë, ndërsa pasdite në fushë. Tashmë e gjithë vëmendja është te ndeshja premierë me Skënderbeun, që zhvillohet në stadiumin e Korçës. Kjo ndeshje luhet më 8 shtator dhe deri atëherë skuadra e drejtuar nga trajneri Duro do të jetë plotësisht gati.

FUSHA – Një problem i papritur ka dalë dje për Flamurtarin dhe nuk ka të bëjë me skuadrën, por me infrastrukturën. Në fushën e stadiumit “Flamurtari” kanë nisur punimet, që nuk dihet me saktësi sa do të zgjasin, por ndeshja e parë në këtë fushë, ajo e javës së dytë me Lushnjën, mund të spostohet në një stadium tjetër. Ndeshjen e parë të kampionatit vlonjatët e luajnë në fushën e Skënderbeut dhe më pas presin Lushnjën, por kjo ndeshje rrezikon të luhet në një tjetër fushë. Tapeti i gjelbër i fushës është dëmtuar nga i nxehti i madh i verës, nga thatësira dhe temperaturat e larta. Për të përmirësuar gjendjen e fushës duhen pak më shumë se dy javë, ndaj ndeshja me Lushnjën është në pikëpyetje të madhe. Punimet nuk mund të kryheshin në temperatura të larta dhe me uljen e tyre ka nisur puna në stadiumin “Flamurtari”. Tani pritet që punimet të ecin me ritmin e duhur dhe gjithçka të përfundojë sa më parë, ndërkohë klubi ka nisur të mendojë për të siguruar ndonjë fushë tjetër për ndeshjen e parë shtëpiake, që me shumë mundësi mund të luhet në Fier.

Drejtuesit e klubit nuk duan të nxitohen, sepse mund ta dëmtojnë më shumë fushën, kështu që do të marrin kohën e nevojshme për kryerjen me kujdes të punimeve. Me shumë mundësi, Flamurtari do të luajë javën e katërt të kampionatit në fushën e tij, ku do të presë Vllazninë. Por përpara është edhe ndeshja e kthimit në Kupën e Shqipërisë me Dinamon dhe mund të jetë pikërisht përballja me blutë që do të shënojnë paraqitjen e parë të ekipit para tifozëve vlonjatë pikërisht më 27 shtator. Punimet në fushë do të përmirësojnë gjendjen e sa në disa pjesë, në mënyrë që tapeti të jetë në gjendje optimale. Puna ka nisur që të martën dhe parashikohet minimalisht një periudhë dyjavore, që fusha të jetë në parametrat e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *