Flamurtari i Dajës, në Durrës përballë tre “vlonjatëve”

Teuta-Flamurtari sot në mbrëmje (19:45) është një ndeshje plot mister. Dy skuadra me shumë ndryshime nga sezoni i shkuar, me trajnerë të rinj në stol dhe me ambicie të mëdha, por që duhen kthyer në realitet.

Teuta e nis me Bledi Shkëmbin në stol, i cili pas sezonit debutues te Liria ka treguar se është gati të bëjë trajnerin në nivele më të larta dhe Teuta i ka besuar një projekt ambicioz, bazuar tek të rinjtë, pa presionin e zakonshëm që ekziston në Shqipëri për të fituar trofe apo për të shkuar në kupat e Europës.

Do të jetë një Teutë krejt ndryshe nga ajo e sezonit të shkuar, sepse kanë mbijetuar vetëm mbrojtësit Gjorgievski e Hakaj, sulmuesi Amadu Latif e pak të tjerë.

Shtylla kurrizore e Teutës është pak “vlonjate”, sepse pritet të luajnë nga minuta e parë Ditmar Bicaj, Lansinet Sidibe dhe Seku Kamara, tre titullarë të Flamurtarit sezonin e fundit, që çuditërisht u lanë të lirë, edhe pse kontributi i tyre ishte i pamohueshëm. Ndërkaq, me emra si Hidi, Osmani e Hakaj, Teuta ka një mbrojtje të hekurt e plot eksperiencë, ndërsa në vëzhgim është sulmi.

Në krahun tjetër, Flamurtari i Ilir Dajës ende nuk është kompletuar dhe pritet ndonjë lojtar deri në fund të gushtit, përveç brazilianit Elton Kale, i cili është ende në gjyq me Kukësin dhe nuk dihet kur do të marrë fund odiseja e tij, duke parë mefshtësinë e FSHF-së në situata të ngjashme.

Koliçi, Kotobelli, Batha e Torasa do të debutojnë që sot, ndërsa Siljanovski, Pollozhani, Veliu, Useini, Musta e Bushiç janë “senatorët” që duhet të tërheqin skuadrën përpara. Për momentin ka ende shumë pikëpyetje, miqësoret verore ishin të pakta dhe me rivalë modestë, ndaj projekti Daja është ende në hapat e parë.

Formacionet e mundshme

Teuta: Hidi – Gjorgjievski, Osmani, Bicaj, Hakaj – Sidibe, Abdyli – Kruja, Kamara, Bubakar – Amadu Latif

Flamurtari: Koliçi – Siljanovski, Pollozhani, Veliu, Kotobelli – Batha, Useini, Deliu (Hyseni) – Musta, Torasa – Bushiç

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *