Ashtu si pritej, Flamurtari do të detyrohet t’i paguajë edhe 26 mijë euro Ernest Gjokës, pasi ka humbur edhe gjyqin e dytë me ish-trajnerin e vet. Gjoka e drejtoi Flamurtarin në periudhën kur erdhi kalimi nga administrimi i bashkisë te kompanitë turke të përfaqësuara nga Sinan Idrizi, por trajneri nuk u pagua fillimisht për kontratën që kishte firmosur me bashkinë dhe më pas u pushua nga puna pa u mbyllur viti, ndërkohë që nuk mori pagesë për prishje kontrate. Tani Gjoka ia ka dalë mbanë të marrë atë që i takonte, sepse fitoi edhe gjyqin e parë, por edhe të dytin. Sërish, lëvrimi i parave në llogari të Gjokës me shumë gjasa do të bëhet nga fondet e federatës, që më pas do t’i mbajë nga paratë që i takojnë Flamurtarit në lidhje me të drejtën televizive apo të ardhura të tjera në të ardhmen.