Elton Nika
Flamurtari, pa shumë mundim, kalon në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, duke i fituar të dyja ndeshjet me Dinamon. Në fakt, gjithçka ishte vendosur që në takimin e dy javëve më parë, kur vlonjatët fituan 0-2 në transfertë. Në takimin e kthimit, të luajtur dje në fushën sportive të Pyllit të Sodës, Flamurtari ka fituar 4-1, ndërkohë që trajneri Duro ka aktivizuar kryesisht lojtarë, të cilët kanë pasur shumë pak minuta në kampionat. Nuk kanë munguar dhjetëra tifozët vlonjatë për të ndjekur nga afër këtë përballje.
Vlonjatët e nisin lojën me qetësi, duke e kontrolluar atë. Fjoralb Deliaj, qendërmbrojtësi i talentuar vlonjat, në minutën e 13-të, pas një krosi të Zhufos nga goditja e këndit, gjuan saktë me kokë dhe shënon golin e parë. Dinamo nuk ka çfarë të humbasë dhe Allmuça kërkon më të mirën nga të rinjtë. Fabio Hasa është ai që ka baraspeshuar gjithçka me një gjuajtje brenda zonës në minutën e 21-të. Por vetëm një minutë zgjat gëzimi i barazimit, sepse në sulmin e radhës Doksani prek topin me dorë dhe penallti për vlonjatët. Zhufo gjuan saktë nga pika e bardhë, duke i çuar shifrat në 2-1. Në vijim të pjesës së parë Flamurtari ka edhe mundësi të tjera me Tungara apo Neziraj, por shifrat nuk ndryshojnë.
Sapo nis pjesa e dytë, trajneri Duro largon Pollozhanin dhe Mersinin dhe në fushë janë Jakovljeviç dhe të riun Maze. Tungara fiton një tjetër penallti, pasi hyn në zonë dhe pengohet në mënyrë të gabuar nga portieri Hoxha. Vetë afrikani realizon, duke i çuar shifrat në 3-1. Loja hyn në qetësi, pavarësisht se vlonjatët kanë diktatin në fushë dhe kërkojnë një tjetër gol. Dhe ky gol shënohet nga Hyseni, pas një goditjeje këndi, kur topi kthehet te mesfushori, i cili gjuan nga jashtë zonës dhe 4-1. Ka gëzim edhe për Nezirajn që shënon, por zgjat vetëm pak, pasi gjyqtari e anulon për pozicion jashtë loje. Përfundimisht, mbyllet 4-1 për Flamurtarin, që tashmë mendon pikërisht për ndeshjen e ditës së shtunë, kur përballë do të jetë Luftëtari në kampionat.
Duro i kënaqur: Ishte një test që na shërbeu për kampionatin
Trajneri Shpëtim Duro është shprehur i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve të aktivizuar dje ndaj Dinamos. Ai ka theksuar se kjo ndeshje ishte një test para kampionatit: “Natyrisht, vinim pas fitores 0-2 në ndeshjen e parë dhe u kemi dhënë mundësi aktivizimi lojtarëve të rinj, të cilët kanë zhvilluar një lojë të mirë. Ishte një test para ndeshjes së kampionatit përballë Luftëtarit, ndërkohë që luajtën shumë lojtarë që kanë pasur pak minuta në kampionat. Duhet thënë se jemi në një moment, kur kjo ndeshje shërbeu për të përgatitur atë të fundjavës. Ndaj Luftëtarit është një tjetër ndeshje, pasi luhet për kampionat dhe duhet të jemi të kujdesshëm në çdo moment, ndërsa sot (dje) kemi siguruar kualifikimin, edhe pse pa vështirësi. Çdo ndeshje ka specifikën e vet, kupa është ndryshe dhe kampionati ndryshe”.
Flamurtari-Dinamo 4-1
Shënues: Deliaj 13’, Zhufo 22’ (11-metërsh), Tungara 47’ (11-metërsh), Hyseni 76’ / F.Hasa 21’
Flamurtari: Sali, Deliaj, Pollozhani (Jakovljeviç 46’), Mersini (Maze 46’), Liçaj, Tushi, Neziraj, Hyseni, Tungara, Zhufo (Musta 60’), Hoxhaj. Trajner: Sh.Duro.
Dinamo: Hoxha, Shaba, Doksani, Bogdani, Tola, Koçi, Veseli, Tragaj (Vllacaj 55’), G.Hasa (Brahja 66’), Çema (Selmanaj 46’), F.Hasa. Trajner: I.Allmuça.
Gjyqtarë: A.Paço, A.Konomi, E.Hazizi (Fier)
Kartonë të verdhë: Hoxhaj, Çema
Karton i kuq: Veseli