Në të gjithë botën, dihet, topi favorizon tolerancën. Srebrenica, pavarësisht historisë së saj, nuk bën përjashtim. Ai 11 korrik i mallkuar në vitin 1995 nuk harrohet, por bashkëjetesa e fesë vjen në futboll
11 korrik 2017, 11 korrik 1995: dje, 22 vjet më parë, niste gjenocidi i Srebrenicës. Pa shumë xhiro fjalësh, masakra më e madhe e historisë evropiane nga Lufta e Dytë Botërore në ditët e sotme. Në Srebrenicë, qyteti muslyman në një rajon me mazhorancë serbe nga Bosnia, më shumë se 8300 burra u vranë nga trupat serbo-boshnjake nga gjenerali Ratko Mladiç. “Faji” i tyre i vetëm ishte vetëm një: ishin muslymanë, në një rajon që refuzonte pavarësinë e Bosnjes që ishte caktuar në vitin 1992 dhe që donte t’i ribashkonte me Serbinë e Millosheviçit.
Një pengesë për t’u eliminuar, ashtu si edhe u vendos në atë 11 korrik 1995 të mallkuar. Një horror që tronditi botën për ligësinë dhe egërsinë, që indinjoi botën dhe sepse Srebrenica ishte “zonë e mbrojtur” nga ONU, nën tutelën e kasakave blu holandeze. Plagë që, në distancë prej 22 vjetësh, ende s’janë mbyllur. Fantazma që ndoshta nuk do të zhduken kurrë. Por Srebrenica kërkon të kthejë faqe dhe edhe futbolli ka një rol të rëndësishëm në këtë proces. Futbolli dhe FK Guber, në veçanti.
Historia – Në të gjithë botën, dihet, topi favorizon tolerancën. Srebrenica, pavarësisht historisë së saj, nuk bën përjashtim. FK Guber është një skuadër e themeluar në vitin 1924 nga një serb dhe një muslyman që realizuan një fushë futbolli në terrenet e tyre. Dhe ai që lind nga kultura të ndryshme, tolerancën e ka në ADN. Dhe kështu, te Guber kanë luajtur gjithmonë futbollistë të çdo etnie, edhe pse rezultatet s’kanë qenë aspak të mira (kurrë të një niveli të lartë, nëse përjashtohet arritja – më pas e anulluar nga federata jugosllave – në vitin 1989 në gjysmëfinalen e Kupës kombëtare, kur bardheblutë mundën 3-2 me penallti Buduçnostin). Një kujtim i artë, ky i fundit, ende për t’u kapur fort pas sukseseve, gjithmonë më të vështirë, në vitet e luftës.
Deri në 11 korrik 1995, kur vdekja mori skenën, duke “gllabëruar” edhe topin. Por, nën rrënoja dhe eshtra, FK Guber jetonte ende. Ishte djegur, por jo shkrumbuar. Dhe, në vitin 2004 u kthye të jetonte, falë sforcos së qeverisë boshnjake dhe asaj holandeze, me disa vullnetarë dhe nisma për mbledhje fondesh. Në fillim skuadra “e të mëdhenjve”, që aktualisht luan në ligën e tretë, në mes të renditjes, ndërsa më pas shkolla e futbollit.
Gjithmonë nën shenjën e tolerancës dhe dialogut mes kulturave të ndryshme. Serbë, kroatë dhe boshnjakë, të krishterë dhe muslymanë. Të gjithë bashkë, ndoshta kush ka humbur miq dhe të afërm për shkak të miqsh dhe të afërmish të të tjerëve. Por, me vullnetin e përbashkët mund të ndërtohet një e ardhme e mirë. Edhe, sidomos, në Srebrenica.