Engin Firat, drejtori sportiv i Vllaznisë, kërkon të zgjerojë lidhjet e klubit shkodran përtej kontinentit dhe së fundmi ka qenë në Katar, atje ku ka biseduar për të bashkëpunuar me Akademinë Aspire në Doha.
Gjithashtu është nën shkruar një marrëveshje Muaither Club në Katar, ndërkohë që Firat ka pasur edhe një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Katarit. Klubi shkodran e njofton vetë diçka të tillë.
“Drejtori sportiv i KF Vllaznia z.Engin Firat gjatë vizitës së tij treditore në Katar, krahas të tjerave ka zhvilluar edhe një takim në Federatën e Futbollit të këtij vendi. Ai ka takuar pikërisht sekretarin e përgjithshëm të kësaj Federate, z.Mohammed Al Hashmi dhe asistentin e tij Issa Jeddo. Me to është biseduar rreth mundësisë për mbështetje dhe bashkëpunim ndërkohë që z.Firat i ka informuar përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Katarit në lidhje me historinë e klubit Vllaznia por edhe për futbollin shqiptar në tërësi”, shkruhet në njoftimin e bërë nga Vllaznia përmes sajtit zyrtar.