Finalja e Ligës së Konferencës, Shulku mesazh vullnetarëve: Nderoni Shqipërinë në sytë e 400 milionë njerëzve

0

Finalja e UEFA Conference League që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj do të jetë pa diskutim një event historik dhe mjaft i veçantë.

Përveç stafit të Administratës së FSHF-së si dhe palëve të tjera të angazhuar për një organizim perfekt deri në detaje të ndeshjes, Federata shqiptare e Futbollit ka rekrutuar rreth 400 vullnetarë të cilët do të ndihmojnë për të realizuar me sukses këtë event madhështor, përmes detyrave të ndryshme.

Trajnimi i tyre ka nisur që prej një jave, teksa ditën e sotme, përmes një video-mesazhi, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku ka përshëndetur të gjithë vullnetarët të cilët kanë vendosur të japin kontributin e tyre në këtë finale. Në mesazhin e tij, Shulku thekson se angazhimi i tyre është shumë i rëndësishëm për të kaluar me sukses këtë sfidë dhe për të nderuar Shqipërinë e për të mbetur në historinë e futbollit shqiptar.

Më poshtë edhe mesazhi i plotë i Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku:

“Të nderuar vullnetarë,

Finalja e madhe e Tiranës do të vendosë Shqipërinë në qendër të vëmendjes së të gjithë botës.

Ne jemi krenarë që në këtë finale do të kemi edhe kontributin tuaj të vyer, duke u bërë pjesë e historisë. Angazhimi dhe performanca juaj janë shumë të rëndësishme për realizimin me sukses të kësaj finaleje dhe ju do të nderoni Shqipërinë në sytë e 400 milionë njerëzve që do të ndjekin këtë ndeshje.

Duke bërë më të mirën në këto ditë provash dhe në ceremoninë hapëse të finales, ju do të mbeteni në historinë e futbollit shqiptar!
Shijojeni”!

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.