Sportingu i Lisbonës është e vetmja akademi në botë që ka nxjerrë dy fitues të “Topit të Artë”. Njëri është Kristiano Ronaldo, ndërsa tjetri quhet Luis Figo, i cili e fitoi atë në vitin 2000.
Portugezi ka zhvilluar një karrierë të madhe të ndarë midis Sportingut, Barcelonës, Realit të Madridit dhe Interit. Të shumtë trofetë e fituar, ndërsa i paharrushëm mbetet dhe kalimi nga Barça te Reali.
Ai veprim solli kritika të mëdha dhe katalanasit nuk ia kanë falur kurrë Figos atë “tradhëti”. Ky i fundit ka folur për “Marca”, duke treguar tre lëvizjet më të mëdha të bëra në karrierë, bashkë me shkaqet e këtyre vendimeve. Trajnerët kanë patur të gjithë rëndësinë e tyre, por Figo zgjedh njërin, i cili quhej Johan Krujf.
NDRYSHIMET – “Kur bën një ndryshim, mendon gjithmonë që do të dalë më mirë. Ndryshimin e parë të madh logjik e bëra kur lashë Portugalinë për t’u transferuar në Spanjë. Isha shumë i ri dhe e bëra për të provuar një eksperiencë të re, që do më jepte më shumë prestigj. Të dytin e bëra (flet për kalimin nga Barcelona te Reali i Madridit), sepse isha në kërkim të vlerësimeve, duke u përpjekur të përmirësohesha në të gjitha aspektet: ekonomi, prestigj dhe tituj. I treti më ndodhi tek Interi. Kalova te zikaltrit, sepse po kërkoja lumturinë në futboll.”
TRAJNERËT – “Kam patur fatin të stërvitem me Krujfin. Ai ka qenë një maestro në aspektin filozofik dhe të koncepteve, sipas mendimit tim. Keiroz ka qenë trajneri im i kombëtares. Ka dhe të tjerë, si Del Boske, apo Murinjo tek Interi. Të gjithë kanë qenë trajnerë të rëndësishëm për mua dhe e kam të vështirë të zgjedh.”