Fetollari: Moti na ka kushtëzuar, kapim pesëshen e parë!

Skuadra e Pogradecit kaloi një situatë “ngujimi” në tre javët e para të muajit janar, ku për shkak të rreshjeve të borës e të shiut nuk pati asnjë mundësi stërvitje në terren të hapur, duke u stërvitur vetëm në ambiente të mbyllura. Madje në këtë periudhë munguan edhe ndeshjet miqësore e lëvizjet në merkato, por gjatë javës së kaluar gjithçka ka ndryshuar. Sipas trajnerit Festim Fetollari, u mundësuan tre ndeshje miqësore dhe përgatitjet nisën edhe në terrenet e çliruara pjesërisht nga bora.

Tekniku pogradecar deklaroi për SportEkspres.com se në javën e fundit të këtij muaji skuadra ka treguar impenjim në stërvitje dhe në miqësoret që janë luajtur. “Kjo situatë e motit na kushtëzoi shumë përgatitjet, por në javën e fundit kemi kaluar stërvitje në terren të hapur. Të gjithë futbollistët kanë treguar impenjim në seancat stërvitore dhe ky është një tregues i mirë për vazhdimësinë. Në ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar, kompaktësimi ka qenë normal, njëherësh kemi testuar edhe afrimin e ri Jurgesi Liçkollari”.

Fetollari e mendon të gatshme skuadrën e tij për ndeshjen e radhës në Fier ndaj Apolonisë, njëherësh ai i shikon të sigurta synimet e kampionatit me këtë përbërje. “Kemi të gjithë futbollistët e 14 javëve të para të kampionatit dhe jemi të bindur se do të arrijmë renditjen në pesë skuadrat e para të Grupit B. Java përgatitore anti-Apoloni është në kulmin e saj, dhe gjithçka është gati për një start më të mirë”.

Pogradeci renditet në vendin e 4-t në Grupin B me 22 pikë, ndërsa në ndeshjen e javës së 15-të më 2 shkurt luan në transfertë me Apoloninë, e cila renditet në vendin e 7-të me 17 pikë.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *