Festë në Mitrovicë, Trepça ’89 takim me historinë

0

Nga: Shpend Thaçi

Më në fund erdhi momenti i shumëpritur, kur shqiptarët në Kosovë mund ta gëzojnë mbarëvajtjen e ndeshjeve parakualifikuese të garave evropiane për klube. Për herë të parë, një skuadër “dardane” luan para tifozëve të saj në arenën ndërkombëtare. Kampionët në fuqi, Trepça ’89, pasi humbën ndeshjen e parë në Ishujt Faroe 2-1, sot kërkojnë me ngulm që ta përmbysin rezultatin dhe të kalojnë në turin e dytë kualifikues.

Vigjilja e ndeshjes është karakterizuar me një bujë të jashtëzakonshme. Ka fluks të madh të shitjeve të biletave. Interesim i madh për të qenë pjesëmarrës në këtë sfidë kanë shprehur shumë qytetarë të shtatë qendrave kryesore të Kosovës. Kjo ka bërë që rivalitetet, inatet, thumbimet, provokimet në mes të tifozëve të fuzionohen në një përkrahje madhështore për përfaqësimin e futbollit kosovar përmes Trepçës ’89.

Gjithsesi, ky unitet mund të jetë i përkohshëm, si shkas i një fillimi të një etape të re për futbollin kosovar, megjithëse nëse do vazhdonte ky mentalitet edhe në të ardhmen, do të ishte shembulli konkret sesi duhet lënë anash rivalitetet për të mirën e futbollit nacional.

Ndeshja e parë solli në pah një dominim të lehtë të mitrovicasve, por që efikasiteti dhe përvoja ishin në anën e Vikingur. Kjo i shpërbleu skandinavët me fitore të ngushtë, por domethënëse: 2-1. Sidoqoftë, ngushëllimi më i mirë i kësaj disfate ishte goli mbresëlënës i sulmuesit Fiton Hajdari – që mund të jetë vendimtar për fatin e takimit të sotëm.

FORMACIONI – Ndërkohë, vazhdojnë problemet e mëdha me lëndime. Pas Kaba Sambout dhe Bledar Hajdinit, listës i është shtuar edhe qendërmbrojtësi tjetër titullar Lapidar Lladrovci, ish lojtar i Kukësit, që pritet t’i mungojë “minatorëve” nga 10 deri në 14 ditë. Kësisoj, pritet të ketë ndryshime në formacion për dallim nga ndeshja e parë. Manxholli konfirmohet në portë. Krahët e mbrojtjes do të mbulohen nga të pazëvendësueshmit Islami dhe Potoku, kurse në qendër të mbrojtjes, për shkak të mungesave të mëdha, kthehet Argjend Mustafa (ish-mesfushori i Skënderbeut) që do luajë në tandem me Izmakun. Rikthehet si titullar Maloku, i cili do ta përbëjë dyshen e mesfushës me Brojën. Kapiteni Shpëtim Idrizi pritet ta fillojë ndeshjen nga stoli, kurse në vend të tij do të startojë Kushtrim Lushtaku (ish lojtar i Kukësit) – i cili do ta formojë trinomin ofensiv me Hajdarin dhe Hasanin, prapa sulmuesit të vetëm, ku ka balotazh të fortë në mes të Oto John dhe Kurtishajt për një vend titullar.

OBJEKTIVI – Nevojitet një gol për t’u kualifikuar në rrethin e dytë. Nevojitet një fitore diskrete. Pas shtatë viteve, stadiumi “Adem Jashari” do të stërmbushet me tifozë. Hera e fundit që ndodhte një gjë e tillë ishte në maj të 2010-es kur KF Trepça festonte titullin e saj. Fakti se do të ketë tifozë të shumtë nga të gjitha rajonet e Kosovës e ngarkon me përgjegjësi më të madhe Trepçën ’89 dhe Mitrovicën si qytet. Ky nder duhet shpërblyer me paraqitje të mirë. Tri dekada u deshën që të arrihet në këtë pikë pas një “eklipsi” që s’mbaronte dot – dhe që e izolonte Kosovën padrejtësisht në përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare. Prandaj, nuk luhet vetëm për “krenarinë” e qytetit verior, por për nder dhe për Kosovën.

Image may contain: 5 people, people smiling, people standing

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.