Festa të hidhura, Tomori u jep “thërrime” lojtarëve

Megjithëse skuadra e Tomorit ka qëndruar në një pritje të gjatë gati dy-mujore, mes premtimeve të shumta të klubit dhe Bashkisë për t’u likuiduar për pagat e prapambetura, sërish në Berat nuk ka lajme të mira.

Burime brenda skuadrës beratase kanë bërë me dije se gjatë ditës së enjte futbollistët janë njoftuar nga ana e klubit për pagesën e prapambetur të tetorit, e cila në vend që t’i gëzonte futbollistët e Tomorit duket se i ka pezmatuar ata, dhe kjo për faktin se klubi u ka hedhur në llogari vetëm nga një gjysmë rroge!

Në të vërtetë skuadrës i është dhënë si argument një justifikim i njohur: nga Ministria e Financave janë të bllokuara llogaritë e klubit për shkak të një kontrolli që është duke ushtruar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Gjithsesi, në një prononcim për SportEkspres.com, Drejtori Rajonal i Tatimeve në Berat, Stavri Ceca, ka dhënë një deklaratë të shkurtër që sqaron gjithçka në lidhje me justifikimet e klubit.

STAVRI CECA – “Mund t’ju deklaroj me përgjegjësi të plotë se FK TOMORI nuk ka asnjë detyrim të pashlyer ndaj palëve të treta, qofshin këto institucione shtetërore apo edhe subjekte private.

Për sa i përket mënyrës se si administrohen lekët që ka klubi i futbollit nga buxheti i tij vjetor, kjo me siguri që nuk është as në tagrin tim dhe as përgjegjësi e imja”, ka përfunduar drejtori Ceca.

Pas kësaj deklarate, ajo që zgjon më shumë interes dhe kureshtje për futbollistët dhe opinionin futbolldashës beratas ka të bëjë më së shumti me faktin nëse klubi i futbollit dhe presidenca e Tomorit janë apo jo në gjendje që të bëjnë transparencën financiare të shpenzimeve gjatë vitit 2018 dhe të tregojnë mënyrën si janë shpenzuar 27 milionë lekë të reja që u ka akorduar për vitin 2018 Këshilli Bashkiak i Beratit.

EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *