Gjatë merkatos së verës, Jurgen Gjasula ishte shumë pranë transferimit në kampionatin shqiptar. Partizani dhe Kukësi ishin të gatshëm ta bënin mesfushorin lojtarin më të paguar në Shqipëri, por në fund zgjedhja e 33-vjeçarit ishte Viktoria Berlin, klub që militon në kategorinë e katërt gjermane.
Për fatin e keq të Gjasulës, klubi gjerman njoftoi sot shkrirjen përfundimtare për shkak të pamundësisë për të shlyer këstet e borxheve të prapambetura. Një dramë kjo për lojtarët që ngelen rrugëve, por edhe për tifozët e kësaj skuadre, që në harkun e pak muajve kaluan nga “parajsa në ferr”.
Historia fillon në maj të këtij viti, kur kompania me bazë në Hong Kong “ASU”, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me klubin nga kryeqyteti i Gjermanisë. Përgjatë muajve të verës lojtarë të niveleve të larta firmosën kontrata të majme me klubin amator, ndër ta dhe Jurgen Gjasula.
Mesa duket investitorët aziatik ndërruan mendje në mes të rrugës dhe sa hap e mbyll sytë klubi përfundoi në “kosh”. Tani mbasi e keqja ka ndodhur, nuk mund të ketë ironi më të madhe se sa kur lexon fjalët e drejtorit të Viktoria Berlin gjatë ditës së nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë aziatike: Ky bashkëpunim na jep siguri për të ardhmen e shoqatës sonë dha na mundëson të mendojme me plane afatgjata.