H I S T O R I K E! Për të parën herë në historinë e futbollist Shqiptar një skuadër kalon katër ture në Europa League dhe për të dytën herë në historinë e klubit, Skënderbeu i Korçës do të shijojë emocionet e grupeve të Europa League-s. Do të mbahet mend gjatë nata e 24 gushtit, e cila do të shënohet në një faqe të artë të historisë së futbollit shqiptar, pasi një skuadër shqiptare bëri historinë.
Të besuarit e Ilir Dajës morën një barazim 0-0 në një ndeshje heroike në “Elbasan Arena”, ku kundërshtar ishte Dinamo Zagreb, ndoshta skuadra më e mirë në Ballkan në dekadën e fundit. Futbolli është i bukur, pasi asgjë nuk është si në matematikë, futbolli është i bukur pasi ka plot të papritura të bukura, si kjo e Skënderbeut.
Një hakmarrje e ëmbël përballë një kundërshtari që vetëm dy sezone më parë i mohoi ëndrrën Champions. Tashmë historia do të rishkruhet, pasi Skënderbeu theu rekordin e Kukësit, Daja rekordin e Josës, por mbi të gjitha tregoi se asgjë nuk është rastësi, Skënderbeu është një klub futbolli që mban lart emrin e Shqipërisë, por dhe heroit tonë kombëtar.
1-1 në Kroaci, 0-0 në Elbasan. 180 minuta larg Korçës, një fatkeqësi, por sot e gjithë Korça ishte në Elbasan.
Një ndeshje e madhe, në çdo drejtim, për nga mënyra si u menaxhua, për qetësinë dhe pjekurinë e treguar, për faktin se nuk u pa asnjë shenjë inferioriteti.
Kemi qenë të vegjël, shumë të vegjël, në Europë. Tani jemi rritur, të paktën Skënderbeu. Por Skënderbeu është shqiptar, apo jo? Të marrin shembull klubet e tjera, sepse ka ikur koha kur luanim për të kaluar një tur.
Miliona, nder, rekord me 4 ture të kaluar në Europë, krenari për gjithë shqiptarët: Faleminderit Skënderbe!
Skënderbeu – Dinamo Zagreb 0-0 (1-1)
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Osmani (Muzaka 90+2′), Nimaga, Lilaj, Gavazaj (Xhejms 74′), Latifi, Soue (Dita 86′). Trajner: Ilir Daja Të gatshëm: Teqja, Plaku, Shkodra, Demte.
Dinamo Zagreb: Livakoviç, Rrahmani, Stojanoviç, Sigali, Lejcaks (Hodziç 85′), Doumbia, Moro (Gojak 57′), Olmo, Henrikez (Filoliç 67′), Fernandes, Sudani. Trajner: Mario Cvitanoviç. Të gatshëm: Zakoraç, Antroliç, Leskoviç, Matel.
Kartonë të verdhë: Nimaga 27′, 78′, Osmani 80′, Mici 81′, Radas 81′, Shehi 84’/ Sigali 43′, Fernandes 81′
Karton i kuq: Nimaga 78′