Kukësi është i detyruar që të luajë larg “Zeqir Ymerit”, të paktën deri në fund të këtij edicioni. Fakti që punimet nuk po nisin, tifozët janë të shqetësuar, pasi mendojnë se skuadra mund të vijojë shtegtimin edhe edicionin e radhës. Gjatë këtij sezoni, verilindorët nuk kanë gjetur rehat, pasi kanë lëvizur shpesh në aksin Shkodër-Elbasan, teksa nuk ka asnjë javë siguri se ku do e luajnë ndeshjen e radhës si pritëse.
Statistikat flasin se faktori fushë për Kukësin ka pasur ndikim. Flasim për ndeshjes që konsiderohet si pritëse, pasi të gjitha ndeshjet e Kukësit duket se janë në transfertë, duke parë që në stadium ka shumë pak tifozë të Kukësit, madje në ndonjë ndeshje të caktuar numri i tifozëve miq ka qenë më i madh se ata “vendas”.
Në fazën e parë, kuksianët kanë luajtur 5 ndeshje si pritës, duke marrë 10 nga 16 pikët që kanë në total. Vetëm Partizani ka mundur që t’i marrë pikë të plota Kukësit, por dhe Laçi ka barazuar në transfertë me verilindorët, që në javën e parë të kampionatit. Jashtë fushe Kukësi ka triumfuar në dy ndeshje dhe në po kaq takime edhe është mundur.