Nocioni “Fair Play”, duket sikur po venitet në futbollin modern. Klubet kanë gjithmonë e më shumë presion për të marrë tre pikët, pasi fundja fundit bëhet fjalë për një biznes miliona dollarësh çdo mundësi duhet shfrytëzuar në maksimum.
Megjithatë, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo është një thjesht një lojë, që mbi të gjitha vlerëson respektin për kundërshtarin e shokët e ekipit. Një shembull që na e kujton në mënyrë të shkëlqyer këtë fakt vjen nga Anglia.
Në ndeshjen midis Njukasëll dhe Kardif Siti, sulmuesi venezuelian Solomon Rondon, kreu një gjest të admirueshëm “Fair Play”, teksa nxori topin jashtë fushe, pas përplasjes së sferës me kokën e mbrojtësit Xho Benet. Rondon ishte brenda zonës së rreptësisë dhe arbitri i takimit kishte lejuar lojën të vazhdonte, por 29-vjeçari e gjykoi të arsyeshme të ndalonte lojën, në mënyrë që stafi mjekësor t’i vinte sa më shpejt në ndihmë lojtarit të trullosur.