Çesk Fabregas u transferua para disa javësh nga Çelsi në drejtim të Monakos, teksa refuzoi dhe një kalim te Milani, duke zgjedhur të bashkohej me ish-shokun e tij të skuadrës, Tierri Henri. Gjithsesi, bashkimi i tij me Henrin, zgjati më pak nga sa spanjolli e kishte imagjinuar.
Javën e shkuar, klubi i Monakos mori vendimin që të largonte trajnerin francez dhe në krye të ekipit erdhi Leonardo Zhardim. Në një prononcim të Fabregas për mediat, spanjolli ka deklaruar se ka qenë në shok në momentin që ka marrë vesh lajmin e shkarkimit të Henri. Gjithashtu, mesfushori ka shtuar se Tierri Henri ishte aryseja që ai vendosi të kalonte te Monako.
“Nuk mund të gënjej, një nga arsyet kryesore që më bëri të vija te Monako ishte sepse më thirri Henri. Ai më njeh shumë mirë dhe donte që unë të udhëhiqja ekipin, duke luajtur çdo ndeshje, çdo minutë. Kam luajtur vetëm dy ndeshje me Henrin në pankinë, dhe siç mund ta imagjinoni kur mora vesh lajmin që nuk do të ishte më trajneri jonë pata një shok për disa orë, madje edhe për disa ditë”.
“Gjithçka që mund të them është që unë luaj për Monakon dhe jam një lojtar i Monakos. E kam marrë këtë vendim dhe do të jap gjithçka. Henri? Do të bëhet një trajner i madh, por futbolli ndonjëherë nuk të pret. Ndoshta nuk ishte koha e duhur për të ardhur në krye të Monakos”.