Interi ka vetëm një alternativë kundër Empolit. Ekipi i Spaletit duhet të fitojë ndeshjen kundër Veselit me shokë, përndryshe mirupafshim Champions. Problemet e shumta në klub dhe rezultatet e dobëta të kohëve të fundit kanë venë në dyshim objektivin jetik të zikaltërve.
Ndeshja parashikohet e vështirë, pasi edhe miqtë luajnë për mbijetesën, ndërsa tensioni është në kulm. Tifozët pritet të jenë të shumtë dhe të zjarrtë, por ata e bënë të qartë: nëse mungon fitorja, do të nisë “lufta”.
Për të rritur moralin e ambientit ka menduar një ish-sulmues. Samuel Eto luajti dy sezone me Interin, por që i mjaftuan për t’u futur në zemrën e çdo tifozi. Kamerunasi ka folur për “Gazzetta TV”, duke kujtuar tripletën e famshme të vitit 2010 dhe ndeshjen me Empolin.
“Shpresoj që tripleta të mos mbetet një moment unik. E them këtë pasi dua që Interi të rikthehet në ato nivele. E dinim se kishim një skuadër të fortë, një tifozllëk për notën 10 dhe një president si Morati, i cili është një mit. E ndjek gjithmonë Interin. Uroj në një fitore me Empolin dhe do bëj tifozllëk në këtë ndeshje deçizive. Besoj shumë te fitorja”, përfundoi Samuel Eto.