“Është një nga mbrojtësit më të mirë në Europë?”! Bylbyl Sokoli: Gjimshiti nuk ka kaluar në ekip të madh se nuk ka luajtur në Europian ose Botëror

Mario Mitaj është futbollisti shqiptar që ka shkëlqyer më së shumti në kualifikueset e Europianit. Sipas të gjitha gjasave, do të kemi një kalim të madh të këtij lojtari në merkaton e verës, teksa në mediat italiane u fol për një transferim te Juventusi. Megjithatë i ftuar në emisionin “Koha Shtesë”, trajneri i njohur Bylbyl Sokol mendon se Mitaj është gati edhe për një hap më të madh që do të varet nga prezantimi i Shqipërisë në Europian. (Intervistën e plot të Bylbyl Sokolit në Koha Shtesë e gjeni më poshtë)
“Mitaj është një futbollist me shumë karakter, teknikisht në nivel të lartë, edhe taktikisht po ashtu. Ka shumë karakter në lojë, është i kompletuar dhe në moshë të re. Transferimi i Mitaj do të varet shumë edhe nga prezantimi i Shqipërisë në Europian, nëse kalojmë grupin, do të hidhej një hap i madh. Nuk e di nëse do të ishte më mirë që Mitaj të luante në mbrojtje apo në mesfushë. Duket si mëkat që një lojtar i tillë të rri në mbrojtje. Por e thashë, nëse Shqipëria dhe Mitaj paraqitet në mënyrë mbreslënëse, për mua do të jetë në mesin e 10 ekipeve më të mira në Europë në verë dhe kjo përfshin edhe Barcelonën, edhe Bayern, edhe Realin, edhe Man City. Kushti i vetëm është Europiani.

Gjimshiti? Unë mendoj se është një prej mbrojtësve më të mirë në Europë. Sidomos kohëve të fundit që ka krijuar një vetbesim shumë të madh. Pse nuk ka kaluar në një ekip të madh? Një prej faktorëve kryesorë është fakti se futbollistët e mëdhenj transferohen pas Europianit ose Botërorit. Gjimshiti nuk ka pasur fatin që të jetë atje, mungoi në Francë dhe jam i bindur se nëse do shkëlqejmë në Gjermani, edhe Gjimshiti do të bëj një hap më të madh, pavarësisht moshës”, tha Sokoli. /Sport Ekspres/