“Do të përgatisim një derbi të madh”, Inzagi nuk fshihet: Do të ishim të lumtur të fitonim titullin kundër Milanit

Interi u ndal sot në një barazim 2-2 nga Kaljari në javën e 32-të të Serisë A. Interi ka mundësinë të sigurojë matematikisht titullin kampion ditën e hënë, në derbin e zjarrtë kundër Milanit. Simone Inzagi ka thënë për “DAZN”-in pas përfundimit të ndeshjes se stafi i tij do të përgatisë një derbi të madh. Ai ka theksuar se do të ndihej shumë i lumtur nëse titulli kampion do të fitohej përballë Milanit.

“Duam të fitojmë gjithmonë përpara këtij publiku. Është e kotë ta mohojmë, jemi pranë finishit, por mungojnë ende 18 pikë. Nuk ka dyshime për djemtë, duhet të qendrojmë në shina. Duhet të vlerësojmë golin e parë. Në golin e dytë të Kaljarit ka pak për të thënë.

Do të ishim të lumtur të fitonim titullin në derbi. Do të përgatitemi mirë për të hënën. Do të përgatisim një derbi të madh. Nëse do ta fitojmë (titullin) të hënën, mirë. Përndryshe, do të ketë mundësi të tjera. Milani do të dojë që të bëjë më të mirën përpara tifozëve të tij. E dimë se çfarë përfaqëson derbi, sidomos në këto vite. Por do ta respektojmë Milanin siç kemi bërë gjithmonë”, ka thënë Simone Inzagi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/