Edhe në Kategorinë e Parë pritet që të ketë një konkurrencë të madhe. Skuadrat vijojnë merkaton dhe kanë më shuam kohë se ekipet e Superiores për t’u përgatitur, pasi kampionati i tyre fillon më vonë.
Erzeni po bën mirë deri më tani dhe sot ka zyrtarizuar afrimin e dy lojtarëve të tjerë. Nifemu Kabiru Dumoje ka nënshkruar me skuadrën nga Shijaku për edicionin e ri ashtu si dhe mbrojtësi Klodian Melani.
Nigeriani ka qenë pjesë e skuadrës së Kastriotit në dy sezonet e fundit dhe duket se po përshtatet mirë me futbollin shqiptar. Skuadra krutane nuk i ofroi një kontratë të re për projektin Superiore dhe 30 vjeçari menjëherë ka gjetur destinacionin e radhës. Vjet Kabiru e ndihmoi Kastriotin që të ngjitej në Superiore, duke realizuar 7 gola në 20 ndeshjet që u aktivizua.
Në anën tjetër mbrojtësi dibran është aktivizuar së fundmi me Egnatian, ndërsa në të shkuarën ka qenë pjesë e Korabit, Ilirisë dhe Burrelit. 32-veçari pritet që me eksperiencën e tij të jetë një pikë referimi në mbrojtjen e skuadrës së Erzenit.