Erzeni me “shtëpi” të re, Begeja dorëzohet para Vllaznisë

Erzeni ende nuk e ka shlyer dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe vazhdon të shtegtojë. Ndryshe nga se ka ndodhur më parë, kur shijakasit takimet si pritës i kanë luajtur në Rrogozhinë, këtë herë është zgjedhur Lezha si “shtëpia” e tyre.

Java e 20-të u rezervon Korabin si kundërshtar dhe shijakasit duan fitoren dhe ruajtjen e vendit të dytë në pesëshen e parë të grupit A. Gjithsesi trajneri Gentjan Begeja sheh më lard dhe mendon për sezonin e ardhshëm, edhe pse ende gara për vendin e parë është e hapur. Të paktën matematikisht, pasi Vllaznia zor të gabojë aq shumë.

“Java e 20-të për ne është si një ndeshje transferte, sepse ndaj Korabit luajmë në fushë asnjanëse, konkretisht në Lezhë. Për ne është një sfidë e vlerësuar për tri pikët. Do kemi mungesat e Dukës dhe të Dragoshit”, tregon tekniku durrsak fillimisht për “SportEkspres.com”.

Më tej Begeja flet edhe në lidhje me synimet e Erzenit. “Matematika na lejon të shpresojmë edhe për kreun e grupit, por duke qenë se Erzeni ka dalë nga objektivi kryesor, realisht ka nisur një projekt për sezonin e ardhshëm”, përfundoi Begeja deklaratën e tij.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *