Drita e Gjilanit mori në verë disa lojtarë nga Shqipëria, ndërkohë që i pari që e mbylli me kampionët në fuqi të Kosovës ishte sulmuesi Eri Lamçja. Shtatshkurtri ndërpreu kontratën me konsensus dhe iu bashkua skuadrës së Bylisit në Kategorinë e Parë.
Sportekspres.com mëson se lojtari i radhës që e ka mbyllur bashkëpunimin me Dritën është Ervis Kaja. Lojtari polivalent, luan në qendër të mbrojtjes dhe mesfushës, si dhe mbrojtës i djathë. Ai luajtur rregullisht me gjilanasit, por me konsensus e ka ndërprerë kontratën dhe tani është i lirë. Me fanellën e Dritës Kaja arrit të shënonte edhe një gol.
Kavajasi me shumë mundësi do të rikthehet në Shqipëri dhe ofertat nuk i mungojnë. Në Kosovë para Dritës Kaja ishte aktivizuar me Lirinë e Prizrenit, kurse në vendin tonë numri i ekipeve më të cilat ka luajtur është i konsiderueshëm.
Besa e vendlindjes, Naftëtari, Laçi, Tomori, Dinamo, Tirana, Apolonia dhe Korabi janë stacionet e tjera të karrierës së tij. Tashmë mbetet për t’u mësuar se ku do ta vijojë karrierën kavajasi i larguar nga Drita.