Ervin Skela është duke hedhur hapat e para në karrierën e tij të re, atë të trajnerit. Pas një jete të suksesshme si futbollist, vlonjati synon të përsërisë të njëjtën gjë edhe në krye të pankinës. Këtë udhë të re profesionale e nis nga Gjermania, aty ku është konfirmuar si trajner i Eintracht Franfurt U17. Është vetë klubi i Bundesligës që jep njoftimin përmes faqes së vetë zyrtare. Skela do të nisë nga puna në sezonin e ardhshëm dhe do të drejtojë 17- vjeçarët e Eintracht Franfurt deri në verën e vitit të ardhshëm.
“Ervini e njeh mirë klubin dhe ka fituar shumë përvojë gjatë viteve këtu në Eintracht. Si një bashkë-trajner, si dhe një trajner individual, ai gjithashtu ka dëshmuar se mund t’ua kalojë përvojën e tij profesionale djemve. Ne jemi shumë të lumtur që ai tani po bën hapin tjetër si trajner me përgjegjësinë kryesore dhe që do të vazhdojë të punojë në U17”, thotë Andreas Möller, kreu i qendrës së performancës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/