Ivan Gazidis është administratori i deleguar i Milanit. Afrikano-jugori do të mbajë këtë post deri me 30 qershor të vitit 2020. Gazidis ishte pjesë e Arsenalit për 9 vite, duke bërë një punë shumë të mirë me “topçinjtë”.
Asambleja e aksionerëve të Milanit ka miratuar hyrjen e Gazidis në bordin drejtues të klubit të “Djallit” dhe zyrtarizimi i tij do të bëhet brenda pak ditësh. Ai mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë, të drejtuar nga presidenti Skaroni, ndërkohë që të shtunën e kaluar shkeli për herë të parë në Milanelo dhe u prezantua me Gatuzon dhe grupin e lojtarëve.
Gazidis, i cili do të ketë një rrogë prej 4 milionë eurosh në sezon, do të ketë një rol multi funksional, duke u marrë me stadiumin, lidhjet dhe kontaktet me UEFA-n dhe ECA-n (Shoqata e klubeve europiane), strategjitë e merkatos, në të cilat do të bashkëpunojë me Leonardon dhe Maldinin. Ai do të merret më shumë me aspektin ekonomiko-financiar të klubit, ndërsa pjesa sportive mbulohet nga dyshja Leonardo-Maldini.
Siç citon “Corriere dello Sport”, modeli i tij do të jetë Arsenali. Thelbësore për kuqezinjtë do të jetë renditja në 4 vendet e para për t’u kualifikuar në Champions. Një nga risitë e Milanit të Gazidis do të jenë dhe rrogat e lojtarëve në bazë të performancave dhe rezultateve të arritura.