Enea Koliçi e ka mbyllur me Kukësin dhe është lojtar i lirë. Gjatë kësaj periudhe portierit pogradecar nuk i kanë munguar ofertat, ndërkohë që në të shkuarën emri i tij është lakuar si pasardhësi i Orges Shehit në portën e Skënderbeut.
Sot ai ka qenë madje në Korçë dhe ka ndjekur nga afër takimin miqësor mes Skënderbeut dhe Teutës. Prania e tij sigurisht që ka bërë që tifozët të mendojnë për një kalim të Koliçit te Skënderbeu.
Gjithsesi, nga ajo që mësohet nga burime pranë lojtarit, mes palëve nuk ka bisedime për një bashkëpunim të mundshëm. Shehi e ka thënë shpesh vjet se Skënderbeu i ka portierët dhe se nuk nevojiten të tjerë. Tanimë durrsaku është vetë trajneri dhe ka të drejtë të vendosë.