Etrit Berisha nuk e nisi sezonin në mënyrën më të mirë, duke humbur vendin e titullarit tek Atalanta. Gardiani shqiptar nuk u dorëzua, uli kokën, punoi fort dhe u rikthye përsëri të mbrojë portën e ekipit bergamask.
29-vjeçari ka probleme në stomak dhe do të mungojë në ndeshjen kundër Kaljarit, ndërsa do të kthehet kundër Frozinones. Në një prononcim për mediat italiane, Berisha flet për objektivin e Atalantës, fillimit e tij në Serie A dhe eliminimin e dhimbshëm kundër Dortmundit në Europa Ligë.
Berisha zgjedh portierët më të mirë të momentit në Europë dhe Itali, ku nuk harron Strakoshën e Lacios, si dhe e mbyll me ëndrrat që ka dhe dëshirat e mëdha për të ardhmen.
ATALANTA – “Kemi humbur disa pikë, por Europa është e mundur. Mund të përballemi me çdo ekip, madje dhe me skuadrat e mëdha. Duhet të përmirësohemi në ndeshjet kundër ekipeve mesatare dhe të vogla. Gjithçka do të varet nga pjekuria jonë. Kemi 28 pikë, por na mungojnë 4-5 pikë për shkak të disa golave të evitueshëm që kemi pësuar. Megjithatë, renditja është e mirë dhe mund t’i arrijmë objektivat tonë.”
ARDHJA NË ITALI – “Kisha disa oferta kur luaja me Kalmarin në Suedi, por Tare u tregua deçiziv dhe e falënderoj. Ishte e pamundur të refuzoja Lacion, por doja të isha protagonist pas tre sezoneve si zëvendës i Marketit. Bergamo ishte një sfidë e re dhe shpresoja në një shans për të treguar vlerat e mia.”
BERISHA – “Eksperienca të ndihmon, ashtu si dhe gabimet. Eliminimi kundër Dortmundit na dhembi të gjithëve. Kam vuajtur, por ai episod në golin e Shmelcerit e forcoi karakterin tim. Sot jam i lumtur dhe e ardhmja ime është këtu. Klubi është ambicioz, nuk po luftohet më për qëndrimin në kategori, kështu që çfarë mund të kërkoj më shumë?”
ROLI I PORTIERIT – “Futbolli ka ndryshuar dhe këmbët vlejnë shumë dhe te portieri. Gasperini na kërkon që ta nisim aksionin nga porta. Golini? Ai është një djalë fantastik dhe një portier shumë i mirë. Ka një rivalitet të pastër mes nesh, gjithmonë kam punuar për të patur një mundësi dhe për t’i dhënë siguri shokëve të skuadrës.”
MË TË MIRËT – “Më të mirët për momentin janë Loris, Pikford, Handanoviç dhe Oblak. Në Itali, përveç Samirit (Handanoviç), zgjedh Donarumën dhe e ardhmja i përket tij. Më pas është Kranjo (portieri i Kaljarit), i cili ka reflekse të shkëlqyera. Nuk harroj as mikun tim Tomas Strakoshën.”
ËNDRRA – “Dua të luaj në Champions dhe të fitoj ndonjë trofe. Do të ishte maksimumi t’i arrija këto objektiva me Atalantën. Më pas dua të merrem me zbulimin e talenteve dhe shpresoj shumë që të hap një shkollë futbolli në Kosovë.”