Emra të rinj dhe rinovime, Pogradeci do rikthimin në Superiore

Data 15 korrik është vendosur si dita e nisjes së përgatitjeve të skuadrës së Pogradecit. Ditën e hënë të gjithë futbollistët do të mblidhen në klub, ku edhe do të nënshkruajnë kontratat e reja dhe më pas do të fillojnë stërvitjen. Drejtuesit e klubit liqenor janë optimistë për grupin që mbylli sezonin e kaluar, por edhe me përforcimet e reja që janë bërë gjatë merkatos.

Për SportEkspres.com, zëvendëstrajneri i Pogradecit, Kopi Çerepi, deklaron se serioziteti i klubit në pagesat e lojtarëve në sezonet e kaluara ka nxitur qëndrimin edhe të futbollistëve që u kanë përfunduar kontratat.

“Të gjithë futbollistët që u kanë përfunduar kontratat, janë të gatshëm të rikonfirmojnë bashkëpunimin për sezonin e ri. Serioziteti i klubit tonë në pagesat e futbollistëve është një nga pikat e forta në konsolidimin e skuadrës edhe për këtë sezon”.

Po si do të nisin përgatitjet e këtij sezoni? Tekniku Çerepi tregon axhendën e përgatitjeve: “Do ta nisim punën me firmat e lojtarëve që kanë deklaruar qëndrimin te skuadra e Pogradecit, por edhe me ata që në parim kanë rënë dakord, si Branica, Shkëmbi e Baçi. Çekiçi e Shyti kanë firmosur më parë dhe ky grup e plotëson organikën e skuadrës për sezonin e ri, i cili për ne ka një objektiv të rëndësishëm, ngjitjen në Kategorinë Superiore. Më pas nisim përgatitjet”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *