Ilirjan Suli nuk ka nevojë për shumë koment për të treguar çmimet e fituara dhe historinë e tij. Aktualisht është ish-sportisti më i përfolur në vendin tonë pasi thirrja e tij është e çdo shqiptari. Dikur si nënkampioni i botës dhe sot i harruar tërësisht nga Qeveria. Një histori kjo që mbart në vete realitetin dhe shembullin negativ. Kjo pasi “i priten” krahët edhe të rinjëve që kërkojnë t’i futen kësaj rruge. Kur karriera sportive mbyllet, askush nuk kujtohet për të lidhur një rrogë për hir të medaljeve dhe sukseseve që i ke sjellë atdheut.
Jehonën e madhe do Suli do ta bënte së fundmi teksa shprehej me gjithë sinqeritetin dhe këshillonte të rinjtë: “Ikni nga Shqipëria”. E përse kjo këshillë? Në “Shqipëria LIVE” Suli e tregon më saktë: “Ishte shumë e sinqertë. Po vija nga një ditë jo e mirë dhe isha veshur si refugjat, kur pashë disa të rinjë aty dhe i thashë ikni nga Shqipëria. Më kanë shkruar shumë pas kësaj. Mendova se nuk ishim, por qënkemi. I falënderoj të gjithë”.
Akoma më emocionuese është thirrja që nënkampioni i botës bën për politikanët dhe deputetët shqiptarë: “Ndoshta nuk kanë kohë dhe mundësi për t’u marrë me ne. Por të paktën vidhni 10% nga paratë, mos i vidhni të gjitha. Lini diçka edhe për popullin. Kur dëgjon se deputetët kanë nga 300 milionë shtëpinë, atëherë kjo do të thotë se paratë qënkan aty”. Por pavarësisht se flamuri për të cilin luftoi aq shumë vite bëri që sot të jetoj “trokë”, shumë më ndryshe nëse do të kishte zgjedhur përfaqësimin e një shteti tjetër, Suli shprehet sërish se Shqipëria e ka merituar. /Sport Ekspres/