Tashmë ka marrë fund, Emiliano Sala është ndarë nga jeta dhe është kthyer në personazhin e një tragjedie absurde, ku duket sikur heroi i veprës bën gjithçka për të provokuar fatin dhe për të shkuar drejt fundit të tmerrshëm, pa e kuptuar.
Historia e argjentinasit është si një roman, romantik dhe melankolik. Claudio Ranieri e përmblodhi në pak fjalë: “Emiliano nuk është vetëm një sulmues i madh, por edhe një djalë i mirë”. E quanin “vogëlushi i madh”, sepse ishte më i gjati nga të gjithë, që kur ishte i vogël, në San Francisco, qytet në Argjentinë, në krahinën e Cordoba-s, ku u rrit në akademinë e futbollit Proyecto Crecer, që kishte për qëllim të rriste talente për t’i transferuar në Francë, më saktë te Bordeaux.
Në vitin 2010 Sala kaloi në Ligën 1 franceze, ëndrra po realizohej: “Nuk ishte e lehtë të largohesha nga familja dhe miqtë e mi”. Fillimi ishte i vështirë, të shumtë ishin ata që e konsideruan lojtar të dobët dhe Bordeaux hoqi dorë prej tij. Më pas, shumë klube e refuzuan, edhe në Serinë C italiane, ku Sorrento e përkufizoi “tepër të dobët për Lega Pro”. Sala ishte në udhëkryq: të rinisej nga zero, apo të ndahej me futbollin.
Zhgënjimi ishte i madh, por vendosmëria për t’ia dalë mbanë ishte edhe më e madhe, ndaj “vogëlushi i madh” zbriti në divizionin e tretë francez, me Orleans, ku rilindi: 19 gola në 37 ndeshje. Më pas, 18 gola te Niort, në Ligën 2 franceze, ku mori nofkën Salagol, në nderim të idhullit të tij Batistuta. Gjithsesi, Bordeaux nuk e donte më: “Stili i tij i lojës nuk e lejon të jetë i qartë para porte, nuk bën për këtë ekip”.
Kështu, vjen transferimi përfundimtar te Caen, ku që në fillim e nis bujshëm: gol, asist dhe spektakël kundër PSG, në një barazim 1-1. Gjithsesi, karrierën ia ndryshoi Nantes, sepse aty luante rregullisht, shënonte dhe zbavitej. U bë zemra e një skuadre të bukur, me Claudio Ranieri-n në stol, trajnerin që vinte nga titulli historik me Leicester City-n në Angli.
Në sezonin aktual Sala kapi majën, aq sa Sala thoshte për Marca në nëntor: “Miqtë e mi nuk besojnë syve, kur më shohin krah Mbappe në listën e shënuesve më të mirë”. Në 13 ndeshjet e parë në kampionat Sala ishte në majë, krah Mbappe, mbi emra si Neymar, Cavani, Depay. Mesatarja gol/për gjuajtje ishte fenomenale, më e mira në Europë: 14 gjuajtje në portë, 11 gola (i fundit në videon më poshtë).
Last goal for #Sala, RIP ?? pic.twitter.com/EU9ktIZ540
— GoalsTV?? (@goalstv3) February 7, 2019
“Kam vuajtur në aspektin e saktësisë para porte dhe kam punuar shumë për t’u përmirësuar. Më ka ndihmuar shumë edhe trajneri Vahid Halilhodzic, i cili ka qenë sulmues i madh dhe më ka dhënë shumë këshilla. I detyrohem shumë, besimi i tij është thelbësor”. Kështu, Sala u bë njeriu për kopertinë te Nantes, ndërsa 13 gola në 16 ndeshjet e para të sezonit bënë që Cardiff City të shpenzonte shifrën më të madhe në historinë e klubit për ta blerë në janar.
Më 22 janar Sala u nis për në Nantes, për t’u përshëndetur me ish-shokët e ekipit, ndërsa më pas do të nisej sërish për në Cardiff. Nuk ndodhi ashtu. Sala do të mbetet shembulli i një personi që ka besuar gjithmonë, ka punuar dhe nuk u dorëzua kurrë. Një djalosh i mirë, që magjepsi Francën dhe një fluturim i mallkuar i ndali rrugëtimin në Premier League.
R.I.P guerrier ??? #Sala pic.twitter.com/ASFaXopw78
— Juan Julian Ramos ???? (@izii_j) February 7, 2019