Reali e humbi edhe betejën e radhës me Barcelonën dhe ishte disfata që hapi kutinë e Pandorës, sepse ka shumë çështje të nxehta në kampin madrilen dhe është koha e llogarive.
Së pari, çështja më e nxehtë quhet Geret Bejl. Uellsiani, i cili me ironi quhet “golfist” nga shokët e ekipit, ka kohë që është si i huaj në ekip dhe rendimenti i tij është mediokër.
Solari, duke parë ankesat e tij, e hodhi në fushë nga fillimi këtë të shtunë, por Bejl ishte më i dobëti në fushë, duke mos bërë asgjë në sulm e mbrojtje.
Kur u zëvendësua nga Asensio, stadiumi shpërtheu në fishkëllima ndaj uellsianit, i cili doli me kokën varur, dukshëm i dëshpëruar. Është derbi i fundit, tashmë të gjithë e kanë të qartë dhe Bernabeu i vuri vulën, sepse Bejl sjell ters, jo rastësisht me të në fushë Reali i ka humbur 6 sfidat e fundit shtëpiake kundër Barcelonës.
Bernabeu vendosi edhe një tjetër duel, atë mes Iskos dhe trajnerit, sepse kur mesfushori u fut në minutat e fundit, ovacionet për të vërshuan nga të gjitha tribunat me tifozë madrilenë.